Në Egjipt, dhunë ndërmjet koptëve e myslimanëve në Kajro
(09.03.2011 RV)Kthehet tensioni ndërfetar në Egjipt, pas ndeshjeve të dhunshme
të djeshme, ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në Kajro. Numri i viktimave ka arritur
në 13, ndërsa 140 të tjerë janë plagosur. Nagib Xhibrail, avokat i një shoqate
koptësh egjiptianë, i akuzoi sot myslimanët se kanë shtënë mbi demonstruesit e krishterë,
të cilët, për të tretën ditë rresht, protestonin para televizionit publik për djegjen
e kishës në rajonin e Heluanit. Djegja qe reagimi ndaj lidhjes së një myslimani me
një të krishterë. Ndërkaq, atë Johana i kishës së Shën Marisë Virgjër, pranë vendit
ku u zhvilluan ndeshjet, deklaron se është ushtria përgjegjëse për të shtënat. Një
burim zyrtar anonim konfirmoi vdekjen e gjashtë koptëve dhe të pesë myslimanëve. Nuk
është i qetë as sheshi i famshëm Tahrir, ku edhe sot, manifestues kundër ish-presidentit
Mubarak u ndeshën me të tjerë pro-Mubarak.