2011-03-09 18:53:31

Kosovë: Opozita i konsideron të nxituar nisjen e dialogut


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kundërshton fillimin e bisedimeve Kosovë Serbi pa një vendim të Kuvendit të Prishtinës. Sipas tij bisedimet me Beogradin nuk kanë qenë fare urgjente për Prishtinën dhe qeveria e Kosovës është dashur të presë vendimin e Kuvendit dhe mbi bazën e vendimit të tij të veprojë dhe jo të ndërmarrë hapa të ngutshëm.”Ne jemi për atë që çdo gjë të bisedohet, të përcaktohet së pari në Kuvend, që Kuvendit për çdo gjë t`i jepet llogari dhe Kuvendi të vendosë për çështje të cilat mund të bisedohet, sepse është një çështje mjaft e rëndësishme. Ne kot themi se bëhet fjalë për çështje teknike, meqenëse flitet për bisedime në mes dy shteteve, atëherë ato marrin karakter politik", është shpreh Mustafa. Lideri i LDK-së kujtoi se Kosova ka prioritete më të rëndësishme me të cilat është dashur të merret qeveria sesa bisedimet me Serbinë, të cilat sipas tij, janë në interes të Beogradi për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas të dhënave mbi tryezën e bisedimeve janë trajtuar temat si trafiku ajror, telekomunikacioni dhe vulat doganore. Shefi i delegacionit serb Borko Stefanoviq, megjithëse fillimisht deklaroi se takimi i parë me delegacionin e Prishtinës ka qenë "normal dhe gjentil", megjithatë është shpreh duke thënë se ekipi i Beogradit nuk ka lejuar "çfarëdo devijimi në bisedime", duke kaluar mbi dallimet të cilat "pala tjetër shpesh ka tentuar t'i prezantojë"! Sipas Stefanoviqit ekipi i Prishtinës, që numëron tetë anëtarë, tentoi të theksonte dallimet "terminologjike e narrative" si dhe "interpretimet e historisë më të re". Ndërsa pala serbe, thotë ai, nuk ka humbur kohë dhe menjëherë ka tentuar të flasë për çështjet konkrete të cilat do të sjellin mirëqenie për njerëzit në Kosovë. I pyetur të komentojë faktin se Prishtina është përpjekur që të mos vijë në Bruksel (dhe se është detyruar nga SHBA-ja e BE-ja) sepse është insistuar për bisedime të dy shteteve e për dialogun teknik, Stefanoviq vlerësoi se deklarata të tilla shërbejnë për "përdorim të brendshëm". "Duhet t'i kuptoni. Është e qartë se ç'po ndodh aktualisht në skenën politike të Kosovës. Gjërat nuk janë të thjeshta dhe ne kemi durim", tha Stefanoviq.

Sipas gazetës së Londrës, The Financial Times” Kosova humb, Serbia fiton në rrafshin politik nga këto bisedime të drejtpërdrejta.
Kanë filluar bisedat e para të drejtpërdrejta në mes të Kosovës dhe Serbisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia para tri vjetësh, shkruan gazeta prestigjioze londineze “The Financial Times” (FT) sot më 9 mars 2011 në faqen e vet online. Pasi jep prononcime të të dy kryenegociatorëve, Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviqit, “The Financial Times” përkujton dështimin e bisedave të viteve 2006-2007, me ndërmjetësimin e Marti Ahtisaar-i, emisarit special të OKB-së, që “shtyri SHBAtë dhe shumicën e vendeve anëtare të UE-së të mbështesin aspiratat shtet formuese të shqiptarëve të Kosovës”. “Kësaj radhe, Kosova ka më shumë ç’ të humbë, ndërsa Serbia ç’të fitojë në rrafsh politik”, shkruan korrespondenti i FT-së nga Beogradi, duke konstatuar se të dyja palët duan të sigurojnë investitorët e huaj dhe të bashkëpunojnë me Perëndimin. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) shpalli në korrikun e vitit të kaluar se deklarata e pavarësisë e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, përkujton FT, ndërsa thekson se Serbia ka fituar simpati te UE-se me rezolutën e përbashkët në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator q bën thirrje për “dialog...për t’i përmirësuar jetërat e njerëzve”. Duke ilustruar mospajtimet që do të diskutohen, FT thotë se Serbia refuzon të pranojë vulat doganore me emërtimin “Republik e Kosovës”, duke insistuar në referencën “UNMIK”. Për pasojë, prodhuesit e Kosovës nuk mund të transportojnë mallrat e veta nëpër Serbi. Të dyja shtetet janë pa dalje në det, por Serbia kufizohet me UE-në, shkruan FT. Sipas gazetës “vula me emërtimin “Kosovë” mund të jetë e pranueshme nga të dyja palët, ka thënë një diplomat kosovar”, që nuk përmendet me emër. Duke dhënë një ilustrim tjetër të llojit të kompromisit që mund të gjejnë Kosova dhe Serbia në bisedime, FT thotë se Kosova ka kryesinë e CEFTA-së, një grupi të shteteve të Evropës juglindore që synojnë anëtarësimin në UE. “Zyrtarëve të vendeve të CEFTA-s mund t’u duhet të mbajnë thjesht shenja me emrat e tyre personalë, pa tituj apo emra të shteteve”, konstaton gazeta londineze. Ndër temat për diskutim përfshihen telefonia mobile, aviacioni dhe targat e automjeteve – “fusha ku pritet të ngrihet çështja e vështirë e sovranitetit”, përfundon FT.







All the contents on this site are copyrighted ©.