2011-03-09 13:51:19

Kardinali Bertone për Takimin e Asizit: të gjitha fetë duhet të jenë në shërbim të paqes.


(09.03.2011 RV)Duke i mbledhur përsëri në Asizi të gjithë liderët e feve të tjera, Benedikti XVI, në gjurmët e Gjon Pali II, u propozon vëllezërve të krishterë të konfesioneve të ndryshme, prijësve të të gjitha traditave fetare të botës e, simolikisht, të gjithë njerëzve vullnetmirë, të ecin së bashku e ta jetojnë fenë, si shërbim për kauzën e paqes. Këtë thekson kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në një shkrim, që do të botohet në numrin e ardhshëm të revistës “Shën Françesku, Pajtor i Italisë”, organ i kuvendit të Shenjtë të Asizit. Në këtë artikull, përmendur sot në gazetën Repubblica, Kardinali salezian kujton impenjimin e Papës gjerman, që nga dita e zgjedhjes, për projektin titanik të paqes, bazë për zhvillimin njerëzor të mbarë popujve të botës. Kudo – shkruan kardinali Bertone, duke kujtuar shtegtimet ndërkombëtare të Papës Razinger – u paraqit me forcën dhe butësinë e lajmëtarit të paqes, me armën e lutjes, me guximin e së vërtetës e me privilegjin mbretëror të bamirësisë. Kudo shkeli, davariti retë kërcënuese të moskuptimit, duke hapur hullinë e paqes. Hirësia e Tij kujton posaçërisht emocionin e thellë të Papës gjatë vizitës në Aushvic e në Yad Washem, por edhe lutjen e zemrës, pëshpëritur pa zë, në Xhaminë Blu të Stambollit.
Benedikti XVI – vijon Sekretari i Shtetit të Vatikanit - e ka shumë për zemër temën e paqes në botë e, si pasardhës i Gjon Palit II, nuk mund të mos e kujtonte rëndësinë e kremtimit të 25-vjetorit të takimit të madh ndërfetar, mbajtur në Asizi, në vitin 1986. Kujtimi i kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme – përfundon kardinali Bertone – ka mbetur gjithnjë i gjallë në mendjen e në zemrën e mbarë njerëzimit, duke zgjëruar rrugën e dialogut ndërfetar në Kishë e jashtë saj, aq sa me kalimin e viteve, u bë i domosdoshëm organizimi i një takimi tjetër të kësaj natyre, që të mund t’i ofrojë botës sinjalin e kërkesës universale për paqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.