2011-03-09 17:06:11

Emisarë të Gedafit në Kajro. Kryengritësit tërhiqen nga Ras Lanufi


(09.03.2011 RV)Tre avionë të Muhamar Gedafit u nisën sot për në Kajro, duke i bërë njerëzit të kujtojnë se lideri libian po largohet nga vendi. Në të vërtetë, në kryeqytetin e Egjiptit, zbriti një gjeneral, që i dorëzoi një mesazh kreut të Forcave të Armatosura egjiptiane, Hysein Tantaui. Dy emisarët e tjerë shkuan njëri në Maltë e tjetri në Bruksel, duke kaluar nga Franca.
Ndërkaq, SHBA-të dhe disa vende të NATO-s po vlerësojnë mundësinë për të krijuar një zonë ndalim-fluturimi (no-fly zone) në Libi, edhe pa autorizimin e OKB-së, por me përkrahjen e protagonistëve kryesorë të rajonit: Lidhja Arabe, NATO dhe Bashkimi Evropian. Në Starsburg, Europarlamenti do të votojë nesër një rezolutë, me të cilën i kërkohet kryetares së diplomacisë evropiane, Kathrin Eshton të kontaktojë Këshillin Kombëtar të Tranzicionit, formuar nga kryengritësit në Bengazi dhe të fillojë procesin e njohjes së tij. Eshton vetë shprehu dyshime, duke theksuar se njohja duhet t’i takojë Këshillit të Evropës.
Në fushën e betejës, forcat e Gedafit duhet të kenë marrë plotësisht në dorë qytetin e Zauiajh, 50 km në perëndim të Tripolit. Tanket e snajperët qeveritarë kanë rrethuar sheshin qendror, sipas dëshmive nga vendi. Rafineria e naftës, më e madhja e Libisë, është mbyllur për shkak të ndeshjeve me armë. Në Ras Lanuf, tjetër qytet naftëmbajtës, trupat e Gedafit sulmojnë nga toka e nga ajri e rebelët tërhiqen.
Nga ana e tij, lideri libian vazhdon t’i japë intervista televizionit turk TRT, në të cilat paralajmëron, me një demagogji të mirënjohur për vendet e ashtuquajtura “socialiste”, se vetë populli do të marrë në dorë armët e se kur Perëndimi të imponojë zonën e ndalim-fluturimit, njerëzit do ta kuptojnë se perëndimorët duan vetëm naftën. Gedafi akuzon sërish Al Kaidën për revoltën.
Pas thirrjeve të shumta për ndihmë, mbërritën mbrëmë në Itali 57 refugjatë eritreas, nga të cilët 20 fëmijë. Në Libi gjendeshin ndërmjet dy zjarresh: konsideroheshin mercenarë nga kryengritësit dhe agjitatorë nga përkrahësit e Gedafit. Në Tripoli, nën mbrojtjen e vikarit apostolik, imzot Gjovani Inoçenco Martineli, ndodhen aktualisht rreth 2000 refugjatë eritreas.







All the contents on this site are copyrighted ©.