Dom Zef Gila, meshtar, dëshmitar i fesë, në përvjetorin e vdekjes
Dom Zefi lindi në fshatin Razëm më 23 korrik 1916. Që i vogël u dallua për zgjuarsi,
prandaj famullitari i fshatit të lindjes i krijoi mundësitë të shkollohej, së pari
në argjipeshkvinë e dioqezës së Shkodrës, më pas, si kishte shprehur dëshirën t’ia
dhuronte gjithë jetën Zotit e të afërmit, në Seminarin Papnor të Qytetit të Veriut
e në Universitetin Urbanian të Propaganda Fides në Romë, ku kreu filozofinë e teologjinë.
Si u shugurua meshtar në Romë, më 24 shtator 1941, u kthye menjëherë në Atdhe.
Nisi
misionin meshtarak në Shkodër, në Beltojë e në Kukel, ku qëndroi 11 vjet. U arrestua
në maj të vitit 1950. Si kaloi një vit të tërë në hetuesi, më 1951 u internua në Tepelenë,
Vlorë e Tiranë. I liruar në fund të vitit 1954, vijoi misionin meshtarak deri më 1967
(kur u mbyllën kishat) në fshatrat Beltojë, Trush, Bushat.
Pikërisht në Bushat
u rikthye, pas 24 vjet pune të rëndë krahu, për të hapur Kishën e për të marrë përsëri
në duart e plasaritura nga kazma, kelkun e shenjt me Korpin e Gjakun e Zotit. Para
se vdiste pati fatin të takohej me Papën Gjon Pali II në Shkodër më 25 prill 1993
e në Romë, ku u rikthye për t’u gjunjëzuar në shenjë falënderimi, atje ku pati nisur
së pari rrugën e meshtarisë. Vdiq më 9 mars 2000.