2011-03-08 14:36:35

Vjetari Papnor i Kishës Katolike dhe interpretimi i shifrave të tij. Me ne, imzot Vitorio Formenti


(08.03.2011 RV)Rritet numri i meshtarëve, pra edhe ai i thirrjeve, në kontinente, që e kanë njohur Ungjillin më vonë se Evropa e megjithatë, nga pikpamja e krishterë, paraqiten më dinamikë. Kështu del nga shifrat e botuara në Vjetarin Papnor të Kishës Katolike për vitin 2011, i cili iu dorëzua Papës Benedikti XVI vetëm pak ditë më parë. Pas numrave e shifrave të mëdha qëndron një grup i vogël personash. Është pikërisht puna e tyre – mes grafikësh e tabelash të kuptueshme për një pakicë – që i mundëson Papës, ipeshkvit të dioqezës më të vogël, të hartojë plane baritore me vlerë të madhe. Vjetari iu paraqit Atit të Shenjtë nga imzot Vitorio Formenti dhe nga prof. Enriko Nena, respektivisht përgjegjësi dhe eksperti i parë i Zyrës Qendrore Statistike të Vatikanit. Të dëgjojmë imzot Formentin, në mikrofonin tonë:
Kam fatin e mirë t’i paraqes çdo vit, kopjen e parë të Vjetarit Papnor Atit të Shenjtë, i cili është interesuar gjithnjë për realitetin e numrave të Kishës, sepse nga ky realitet fillon planifikimi i punës baritore.
Si e pritën Papa dhe bashkëpunëtorët e Kuries punën tuaj të sivjetme?
Do të thosha se këtë vit, Papës i bëri përshtypje për mirë sidomos rritja e numrit të meshtarëve. Mendoni se që nga vitet ’60 e deri në fund të shekullit të kaluar, meshtarët në botë ishin në rënie. Viti 1998 dha për herë të parë shenja pozitive, megjithëse bëhej fjalë për pak vetë. Ndërsa në vitin 2000 kemi pasur një rritje me 400 priftërinj. Tani, sidomos gjatë Viti Meshtarak, kemi numëruar 1.400 meshtarë më shumë në botë. E kjo shoqërohet me një detaj të vogël numerik, por të rëndësishëm. Ne numërojmë çdo vit meshtarët, që fatkeqësisht e lënë meshtarinë, por numërojmë edhe ata, që i kthehen rrugës së priftit, pas vitesh largimi. Gjatë Vitit Meshtarak, jo vetëm që janë larguar më pak meshtarë se vitet e tjera, por u regjistrua edhe një kthim prej 460 priftërinjsh, që kishin dalë nga Kisha Katolike për arsye të ndryshme. Papës i bëri jashtëzakonisht përshtypje kjo statistikë dhe u tregua i kënaqur me të dhënat.
Ndër të dhënat për vitin 2011, sipas jush, cilat janë më domethënëset në krahasim me të kaluarën?
Po përmend dy numra, sepse janë shumë të rëndësishëm. Në fillim të papnisë së Gjon Palit II, kishim 68-69 mijë seminaristë, që studionin filozofi e teologji në botë. Në vitin 2009 – mbi bazën e statistikave, që kemi shqyrtuar – ishin 117 mijë, por me një të dhënë negative: Evropa, gjithnjë në krye përsa i përket numrit të thirrjeve, kaloi në vendin e katërt, në krahasim me kontinentet e tjera. Sot, vendin e parë e zë kontinenti amerikan. Edhe Azia, kontinent ku katolikët janë një pakicë e vogël, po jep vërtet meshtarë të bindur e të përgatitur. Afrika vazhdon si më parë, megjithëse vuan nga mungesa e edukatorëve.
Shifrat, që ju lejojnë ta përshkruani Kishën me terma absolute e me përqindje, natyrisht, ekstrapolohen nga një masë më e madhe të dhënash. Si e bëni këtë?
Mbledhja aktuale e të dhënave e ka origjinën në intuitën e në shqetësimin e Papës Pali VI, i cili deshi t’u japë numrave të Kishës karakter shkencor. Pas Palit VI qëndronte veprimtaria e prof. Nenës, i cili edhe sot punon me ne. Ai ka mendje prej statistikani të madh. Zakonisht, në janar, ne u dërgojmë dioqezave nëpër botë rreth 9 mijë pyetësorë, një pjesë përmes Kongregatës për Klerin, një pjesë përmes Nunciaturave Apostolike. Pasi kthehen, pyetësorët lexohen me sy kritik, sepse duhen bërë edhe krahasime me të dhënat e mëparshme. Së fundi, grumbullohen e publikohen pjesërisht në Vjetarin Papnor – megjithëse ai privilegjon sidomos personat – e pjesërisht në Vjetarin Statistikor Kishtar, i cili ndodhet në shtypshkronjë. Ka një risi: kemi filluar të mbledhim të dhëna edhe përmes postës elektronike. Gjithashtu, kemi gati edhe programin për botimin e Vjetarit në internet, përdorimi i të cilit është eksperimentuar me Sekretarinë e Shtetit. Prova shkoi mirë e tani, jemi gati të përdorim mjetet më moderne të komunikimit.
Kisha është vendi i shpirtit e numrat duket sikur janë diçka jashtë saj. Si mund t’i shërbejnë shifrat krishterimit?
Më pëlqen të them se zyra ime ka bazë biblike: Shën Luka, në kapitullin e dytë të Veprës së Apostujve, thotë se në mbrëmjen e Rrëshajve u pagëzuan trimijë vetë. Pra, siç duket, shifra është e rëndësishme: numrat janë gjithnjë pa shpirt, por të japin menjëherë një ide. Kur mendojmë se në botë ekzistojnë një miliard e 200 milion të pagëzuar, kjo na jep idenë e shtrirjes së Korpit mistik të Krishtit, që është Kisha, por na përçon edhe mundësitë, forcën e pranisë së Kishës, për shembull, në të gjitha veprimtaritë në shërbim të të varfërve, në veprimtaritë kulturore, në universitete. Pra, del në pah një botë, që shumëkush e ka zili. E ne jemi krenarë për këtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.