2011-03-08 15:51:57

Të Premten e Madhe, Papa do t’u përgjigjet në televizion pyetjeve të besimtarëve mbi Jezusin. Intervistë me prezantuesin e RAI-t, Rozario Karelo


(08.03.2011 RV)Për herë të parë në historinë e Kishës Katolike, më 22 prill, të Premten e Madhe, Papa Benedikti XVI u përgjigjet tri pyetjeve mbi Jezu Krishtin, në kuadrin e programit televiziv të RAI UNO-s, me titull “A Sua Immagine” (Në shembëlltyrë me Të, pra me Zotin). Pyetjet mund të dergohen në faqen e internetit të programit italian, nga ku do të përzgjidhen. Se si lindi kjo ide, na e tregon në mikrofonin tonë, prezantuesi i emisionit, Rozario Karelo:
Gjithçka lindi nga ky reflektim: E Premtja e Madhe është një ditë e veçantë e deri pak vjet më parë, edhe televizioni e merrte parasysh këtë, duke transmetuar programe, që të paktën të çonin drejt meditimit. Kjo ndjenjë është humbur… Sot, E Premtja e Madhe televizive është njëlloj si ditët e tjera për të gjitha kanalet: madje, transmetohen edhe zënie, thashetheme e gjëra si këto. Atëherë, ne të programit “Në shembëlltyrë me Të” u përpoqëm të nxirrnim nga pluhuri një emision të dikurshëm, që quhej “Pyetje mbi Jezusin”, për të propozuar çështjen e Krishtit në qendër të pasdites së asaj dite, në të njëjtën orë me vdekjen e Jezusit. Ideja ishte kjo: kemi shumë pyetje mbi Jezusin, që arrijnë nga teleshikuesit, të cilët dëgjojnë përgjigjen e ekspertëve në studio, por do të ishte e jashtëzakonshme të përgjigjej vetë Papa, i cili është kaq i gatshëm të dëgjojë e të dialogojë. Sa bukur do të ishte sikur publiku të bënte pyetjet e Papa t’u përgjigjej. Por, na dukej marrëzi edhe ta mendonim! Gjithsesi, shihnim në stilin e Papës Benedikti XVI diçka, që na shtynte të paktën ta propozonim këtë ide: e propozuam dhe ja që Papa pranoi.
Vërtet, kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme: një papë, që flet për Jezusin, të Premten e Madhe, ne televizion…
Ky është elementi i fortë i kësaj ngjarjeje. Papa e kupton, e këtë e ka shkruar ai vetë, se nëse e njohim pak Krishtin, e duam e besojmë pak në Të. E vërtet e njohim pak, siç e pohon Benedikti XVI në parathënien e vëllimit të parë të “Jezusit të Nazaretit”. Po del nga shtypi vëllimi i dytë i “Jezusit të Nazaretit” dhe dimë se po përgatitet i treti, prandaj, Papa, përmes kësaj veprimtarie të madhe, impenjohet t’ua zbulojë Jezusin njerëzve. Këtë impenjim, që është impenjimi i jetës së tij, dëshiron ta propozojë deri në fund, edhe në një datë kaq të rëndësishme.
Si do të zgjidhen pyetjet?
Të dielën e ardhshme, do të paraqesim nismën e kështu, do të fillojnë të mbërrijnë pyetjet. Duhet të them se, të përfshirë nga entuziazmi, të parët që e kanë lexuar lajmin po fillojnë të na mbushin me pyetje. Prandaj, ideja jonë për të pritur të dielën është tejkaluar tashmë. Ne do t’i lexojmë pyetjet e do të përpiqemi të kuptojmë nëse vlejnë për të gjithë. Ato që do të na duken më të rëndësishme, të afta për të hapur një debat interesant, do t’ia çojmë Atit të Shenjtë. Papa na siguroi se do t’u përgjigjet tri pyetjeve.
Si njeri i komunikimit, çfarë ju bën më shumë përshtypje në stilin e Benediktit XVI?
Qartësia: Papa arrin të shprehë koncepte, që janë shpesh të ndërlikuara në vetvete, në mënyrë kaq të thjeshtë, po edhe të plotë, saqë mendja i kupton e zemra ngrohet. Kjo është dhurata e jashtëzakonshme e këtij Pape, që dalëngadalë, të gjithë po e zbulojnë. Meqë televizioni u flet të gjithëve, rasti i së Premtes së Madhe do të jetë demonstrimi i jashtëzakonshëm i kësaj aftësie, i këtij talenti, që Papa e vë vazhdimisht në dispozicion të Kishës e të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.