2011-03-08 11:55:19

Për Kreshmë Papa na kërkon të zbulojmë bukurinë e Zotit


Me kremtimin e së Mërkurës së Përhime, Kisha katolike hyn në një kohë të fortë shpirtërore e liturgjike: atë të Kreshmëve, që paraprijnë, përgatit e çon drejt Pashkëve. Nesër pasdite Papa Benedikti XVI do të kremtojë Meshën, me ritin e bekimit të hirit e të përhitjes, në Bazilikën romake të Shën Sabinës. Për mesazhin e Benediktit XVI kushtuar Kreshmëve të këtij viti, përqendruar tek tema: “Me Krishtin u varrosët në Pagëzim, me Të edhe u ringjallët”, reflekton, në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi italian i Kietit-Vastos, imzot Bruno Forte:

Përgjigje: - Papa na paraqitet vërtet si mistagog: mistagog, në Kishën e lashtë, është bariu, ipeshkvi, që na prin për të zbuluar bukurinë e Zotit, përmes hirit të sakramenteve, që na përcjellin këtë bukuri. Në Mesazhin për Kreshmët 2011 Papa na paraqet Sakramentin e Pagëzimit, e na e paraqet në realitetin e tij më të thellë e më të gjallë: në atë të pjesëmarrjes në Pashkët e Krishtit: “Me Krishtin u varrosët në Pagëzim, me të edhe u ringjallët”. E gjithë rruga e jetës së krishterë jetohet nën shenjën e Pashkëve, nën shenjën e Pagëzimit. Të kujtosh Pagëzimin që ke marrë, nuk është ndonjë lloj ‘arkeologjie shpirtërore”: është fjala për të vënë përsëri në jetë takimin me Zotin Jezus, që është e fshehta e bukurisë së jetës sonë.

Pyetje: - Në mesazh të Kreshmëve është një fragment shumë i bukur: “Zhytja jonë në vdekjen e në ringjalljen e Krishtit, përmes sakramentit të Pagëzimit, – kujton Papa – na shtyn çdo ditë ta çlirojmë zemrën tonë nga barra e sendeve materiale, nga lidhja egoiste me tokën”. A është e rëndësishme kjo, për t’i jetuar si duhet edhe Pashkët?

Përgjigje: - Po, edhe pse Papa nuk na i kujton në perspektivë moraliste, e as thjesht asketike, rrugët e impenjimit kreshmor e, më saktësisht: pendesën, agjërimin, lutjen e lëmoshën. Lidhur me lëmoshën – për shembull – na ndihmon të kuptojmë se ta zhveshësh vetveten nga sendet e tepërta, të jesh gati për ta ndihmuar tjetrin, atë që ka nevojë, në këtë çast vështirësish e krize në fshatin global e edhe në Itali- do të thotë të marrësh pjesë në vetë zhveshjen e Krishtit, në vdekjen e në Ngjalljen e tij, e prej këndej, të bëhesh një me Të.

Pyetje: - “Në bazë të tundimit – na kujton Papa – është djalli, që është gjithnjë zgjuar, gjithnjë në veprim, gjithnjë në pritë për ta tunduar njeriun, i cili dëshiron t’i afrohet Zotit…

Përgjigje: - Papa është jashtëzakonisht realist. Djalli është prani për atë që i njeh Shkrimet Shenjte. Duket sheshit se ta shlyesh djallin nga kujtesa e besimtarit, siç u përpoq të bënte ndonjë ekzegjet në vitet shtatëdhjetë, është një veprim racionalist e absolutisht larg nga feja e Kishës e nga dëshmia biblike, e cila, madje, e thekson luftën e Jezusit me djallin dhe fitoren e Tij mbi Shejtanin, si Lajm të Mirë. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se ekziston misteri i së keqes, i së keqes rrënjësore, që vepron në këtë botë, sigurisht duke iu nënshtruar sundimit të Zotit. Ky mister në traditën biblike e në fenë e Kishës paraqitet me një figurë të përcaktuar, atë të Shejtanit, të kundërshtarit, djallit të mallkuar, që kërkon të na ndajë nga Zoti, siç ta tregon edhe vetë emri i tij “diabolo” – “ai që ndan, që përçan”. Tani mendimi sipas të cilit djalli nuk ekziston, na bën tejet të ligsht, të pambrojtur përballë tij e na kujton fjalët e Andre Zhid: “Dinakëria më e hollë e djallit, është të na e mbushë mendjen se nuk ekziston”.







All the contents on this site are copyrighted ©.