Nesër fillojnë Kreshmët, udhë drejt Zotit e të afërmit
Nesër, me të Mërkurën e Përhime fillon periudha e Kreshmëve, një udhë shpirtërore
drejt Zotit e të afërmit. Pra me liturgjinë e ritit të Mërkurës së Përhime, për Kishën
katolike fillon periudha e lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit, agjërimit e pendesës.
Në mesazhin dërguar besimtarëve për 40 ditët që paraprijnë e përgatisin solemnitetin
e Ngjalljes së Jezu Krishtit, Papa Benedikti XVI reflekton mbi temën “Me Krishtin
u varrosët në Pagëzim, me të edhe u ringjallët”, ku mes tjerash ndalet edhe te kuptimi
i zgjedhjes së agjërimit nga ushqimi si “një ‘terapi’ për shpirtin”. Pra, me riti
simbolik të përhimjes e me fjalët përkatëse që shoqërojnë liturgjinë kishtare të së
Mërkurës së Përhime, hyjmë në Kohën kishtare të Kreshmëve. Riti i përhimjes na kujton
qortimin e Joelit Profet, sipas të cilit gjesteve të jashtme, karakteristike për periudhën
e Kreshmëve, duket t’i përgjigjet çiltërsia e shpirtit dhe koherenca e veprave.
E riti i përhimjes shprehet përmes formulës “Pendohuni e besoni në Ungjill”, ose “Kujtohu
se je hi e në hi do të kthehesh!”. Pikërisht për shkak të pasurisë së simboleve e
të teksteve biblike dhe liturgjike, e Mërkura e Përhime me të drejtë quhet ‘porta
e Kreshmëve”. E liturgjia na fton në një ripërtëritje të vërtetë shpirtëror, sepse
ç’vlerë ka të ndash me të tjerët, posaçërisht me të varfrit të mirat materiale, kur
zemra mbetet larg nga Zoti, do të thotë nga e mira e drejtësia? Ajo që ka vlerë të
vërtetë, është të kthehesh tek Zoti me shpirt të penduar, për të fituar kështu mëshirën
e Tij Hyjnore. Një shpirt të ri e një zemër të re – këtë gjatë Kreshmëve kërkojnë
besimtarët me fjalët e Psalmit pendestar ‘Miserere’ , ‘Mëshirë’– duke u lutur: “Na
fal, o Zot, kemi mëkatuar!”. Besimtari i vërtetë, i vetëdijshëm se është mëkatar para
Zotit, dëshiron me gjithë shpirt, zemër e trup të meritojë mëshirën hyjnore që e bën
krijesë të re dhe i kthen gëzimin e shpresën e jetës. Një aspekt tjetër i përshpirtërisë
së kohës së Kreshmëve, është ai që na kujton armët e lutjes, të pendesës e të betejës
kundër shpirtit të së keqes. Çdo ditë, e posaçërisht në Kohën e Kreshmëve, i krishteri
duhet të përballojë një luftë, si ajo që përballoi Krishtit në shkretëtirën e Judesë,
ku për 40 ditë u tundua nga djalli; e pastaj në Gjetsemani, kur e mundi tundimin e
mbramë, duke bërë deri në fund të fundit vullnetin e Atit Qiellor. Është një betejë
shpirtërore, betejë kundër mëkatit e kundër shejtanit, zanafillë e shkak i çdo lloj
mëkati e të keqe. Prej këndej besimtarët duhet të jenë vigjilentë e t’u kushtojnë
vëmendje jo vetëm mëkateve të rënda e vdekjeprurëse, por edhe mëkateve më pak të rënda
të cilat, në se nuk përfillen, mund të sjellin vdekjen. Kreshmët na kujtojnë se
jeta e krishterë është betejë e pafund. Për ta përballuar, duhet të ngjeshim armët
e lutjes, të agjërimit, të pendesës e të ecim gjurmëve të Jezusit. Ndjekja e Krishtit
i bën të krishterët dëshmitarë e apostuj të paqes, i ndihmon të kuptojnë më mirë se
cila duhet të jetë përgjigja e krishterë ndaj dhunës që kërcënon paqen në familje
e në botë. Sigurisht nuk është hakmarrja, nuk është urrejtja as ikja drejt një përshpirtërie
të rreme. Përgjigja e atij që e ndjek Krishtin është të ecën në rrugën e zgjedhur
nga Ai që, përballë të këqijave të kohës së vet e të të gjitha kohërave, zgjodhi vendosmërisht
Udhën e Kryqit, duke ndjekur shtegun më të gjatë, udhën më të dhimbshme por më të
frytshëm të dashurisë. Në gjurmët e Jezusit e të bashkuar me Të, të gjithë duhet të
angazhohemi që t’i kundërvihemi së keqes me të mirën, gënjeshtrës – me të vërtetën;
urrejtjes, me dashurinë”. “Dashuria e Krishtit na nxit” (2 Kor 5, 14) - thotë Shën
Palit, duke na kujtuar se në Jezusin, vetë Zoti na dhuroi vetveten deri në vdekje,
gjë që duhet të na shtyjë të mos jetojmë më për vetveten, por për Krishtin e me Të,
për të tjerët”. E dashuria duhet të shprehet pastaj në gjeste konkrete në ndihmë
të të afërmit, e sidomos të më të varfërve e më nevojtarëve, duke pasur gjithnjë parasysh
se Ati, që është në qiell, shikon edhe në fshehtësi e i shpërblen të gjithë ata që
bëjnë mirë në heshtje, përvujtërisht e pa kurrfarë interesi. Konkretizimi i dashurisë
është një nga elementet themelore të jetës të të krishterëve, të cilët inkurajohen
nga Jezusi të jenë dritë e botës, që njerëzit, duke parë veprat e mira, ta lëvdojnë
Atin që është në qiell. Në kohën e Kreshmëve dëgjojmë si jehon përsëri ftesa për
t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit – gjë që na nxit t’ia hapim
gjithnjë shpirtin fuqisë së hirit hyjnor. Kështu, të gjallëruar nga impenjimi i fortë
i lutjes, të vendosur për t’iu kushtuar më shumë pendesës, agjërimit e vëmendjes ndaj
vëllezërve e nevojtarëve, të ecim drejt Pashkëve, në shoqërinë e Virgjërës Mari, Nënës
së Kishës e modelit të çdo nxënësi të vërtetë të Krishtit. Kështu pra, në Romë
e në të gjitha kishat katolike të botës, nesër me të Mërkurën e Përhime nis koha e
përgatitjes për Pashkë. Kisha na fton kryesisht të rikthejmë tek Zoti. E kthimi
ka shkallë të ndryshme, që fillojnë me përpjekjen për ta dashur më shumë Zotin e vijon
me pendesën për mëkatet tona, me dashurinë për të afërmin në botën e sotme, në të
cilën flitet kaq shumë për tensione, kriza të llojllojshme, gjakmarrje, urrejtje,
dhunë. Kreshmët na bëjnë thirrje për pajtim, për pendesë, për falje, për mirëkuptim
e ngadhënjim mbi të keqën e mëkatin. Kjo është rruga e Jezusit, që na çon drejt dashurisë,
drejt drejtësisë, drejt vëllazërimit, me pak fjalë drejt Pashkëve të ngjalljes.