2011-03-08 17:19:46

Më 10 mars paraqitja e librit të Jozef Racinger - Benedikti XVI "Jezusi i Nazaretit - Pjesa Dytë"


Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njofton se të enjten më 10 mars 2011 në ora 17.00, në Sallën Gjon Pali II (Giovanni Paolo II) pranë Sallës së Shtypit të Vatikanit do të mbahet konferenca e shtypit për paraqitjen e librit të Josph Ratzinger – Benedikti XVI: “Jezusi i Nazaretit – Pjesa Dytë. Nga hyrja (e Jezusit) në Jerusalem deri në ngjallje”, botuar nga Libraria e shtëpia botuese e Vatikanit.
Në paraqitjen e vëllimit të ri, do të flasin kardinali Mark Ojé, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë dhe profesor Klaudio Magris, shkrimtar e gjermanist i njohur.
Rrëfimi i jetës së Jezusit rinis atje ku teologu Jozef Racinger e pati ndërprerë në vëllimin e parë të veprës: “Jezusi i Nazaretit”. E kujtojmë se vëllimi i parë botuar ne vitin 2007 fillon nga Pagëzimi i Jezusit në lumin Jordan e shkon deri tek Shndërrimi mbi malin Tabor.
Ndërsa vëllimi i dytë nis me hyrjen e Jezusit në Jerusalem, vijon me pastrimin e Tempullit, me larjen e këmbëve, me misterin e tradhtisë e të tradhtarit, Judës.
“Jezusi në atë orë - shkruan Papa – ngarkohet me tradhtinë e të gjitha kohëve, me vuajtjen, që ndjen njeriu i të gjitha kohëve, kur e tradhtojnë. Mbart, kështu, mbi vete, deri në fund të fundit, mjerimin e historisë. Ndërsa kush e prish miqësinë me Jezusin, kush e shkarkon prej vetes “barrën e ëmbël”, nuk e fiton lirinë, nuk bëhet aspak më i lirë, përkundrazi, bëhet skllav i pushteteve të tjera. Kështu edhe Juda që, megjithatë, e bën hapin e parë drejt kthimit: “Mëkatova – u thotë atyre, që e shoqërojnë - përpiqet ta shpëtojë Jezusin e i kthen paratë e tradhtisë.
Tridhjetë asprat (dinarët), simbol i të gjitha tradhtive, në historinë e gjatë e të mundimshme të njerëzimit. Simbol i shitjes së padenjë të njeriut, që e flak dinjitetin për kaq pak gjë! Por ky është pendim pa shpresë – vijon Papa – që ka para vetëm errësirë. Pendim që kthehet në dëshpërim. E pendimi që nuk shpreson më në asgjë – shpjegon Papa teolog – është shkatërrimtar. Pendimi i vërtetë sjell me vete sigurinë e shpresës, siguri që lind nga besimi në pushtetin e pakundërshtueshëm të Dritës, mishëruar në Jezusin.
Kështu vepra që do të dalë në librari më datën 10 mars, vijon deri tek kryqëzimi i Jezusit, deri tek zbritja nga kryqi e tek ngjallja e Tij, në të tretën ditë…







All the contents on this site are copyrighted ©.