Dom Ndue Bytyçi, meshtar e poet në përvjetorin e lindjes
Dom Ndue Bytyçi (1847-1917), emri i të cilit gjendet i shkruar në mënyra të ndryshme
si Bityçi, Bytyqi ose Bityqi, i njohur si 'Bilbili i Kosovës', qe poet e prift katolik.
Dom Ndue Bytyçi, lindi më 8 mars 1847, në rrethinën e Shkupit, sipas disa studiuesve;
në Kosovë sipas disa të tjerëve. Shumica e studiuesve të veprës së tij janë thuajse
një mendje mbi vlerat e veprës së meshtarit poet dhe e konsiderojnë si poet me talent
të rrallë. Ndue Bytyçi është një ndër meshtarët e parë katolikë që i kreu të gjitha
studimet në trevat shqiptare: klasike, filozofike e teologjike, në Shqipëri e pikërisht
në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Aty u edukua me ndjenja të fuqishme
fetare, me dashuri të pakufishme për atdheun e për gjuhën shqipe; me etje për dituri,
me prirje për të fituar një horizont sa më të gjerë diturie, me dëshirë për ta flijuar
jetën e vet në shërbim të popullit të varfër, në emër të Krishtit. Prandaj, në
Prizren, në Gjakovë e Pejë e vise tjera të Kosovës, ku shërbeu, predikoi pa u lodhur
kurrë Ungjillin e jetës, dha mësim në shumë shkolla të dioqezës së Shkupit, shkroi
vjersha fetare, atdhetare e shoqërore, iu vu përkthimit të njërit ndër librat më të
vështirë të Biblës: “Librit të Psalmeve”, përkthim me vlera letrare e gjuhësore që,
për fat të keq, nuk e pa ende dritën e shtypit. Ndër vjershat e tij fetare,
kujtojmë krijime artistike shumë të realizuara që lexohen me kënaqësi edhe sot, si
“Mundimet e Jezu Krishtit”, “Vaji i Zojës së Bekueme”, “Atyna”, “Udha e Krygjës” etj. Ndër
krijimet atdhetare vlejnë të përmenden “Memleqetit” (Atdheut), botuar në Shkodër
më 1887 dhe vargjet kushtuar Atë Leonardo de Martinos, që në këtë kohë ishte një nga
zërat më të njohura poetike: pastaj vjershat “Lugati”e “Kastigimi”, që të kujtojnë
bukurinë e poezive të Goethes; “Peshkaxhija” e “Barakxhija”, me motive të theksuara
shoqërore e krijime të tjera- Dom Ndye Bytyçi njihet si lëvrues i parë i sonetit apo
tingëllimës në letrat shqipe. Botoi kryesisht ndër revistat e jezuitëve “Lajmëtari
i Zemrës së Krishtit” e “Leka”.