2011-03-08 15:20:43

8 marsi sjell çështjen e statusit të gruas në qendër të vëmendjes në Shqipëri


Realizmi i barazisë gjinore në kuadër të integrimit Evropian të Shqipërisë ka marrë vitet e fundit jo vetëm angazhimin e qeverisë së Tiranës, por edhe të shoqërisë civile.
Duke parë përmes shifrave 8 Marsin 2011 në Shqipëri, Drejtoresha e Politikave për Shanset e Barabarta dhe Familjen, në Ministrinë e Punës, Alma Marku, vlerëson se "Shqipëria ka shënuar një progres të dukshëm në përmirësimin e statusit të gruas, paralelisht me shtruarjen përpara të gjithë aktorëve politikbërës apo zbatues, shoqërisë civile apo botës akademike dhe medias të shumë sfidave të reja bashkëkohore".
Qeveria shqiptare e Tiranes në bashkëpunim dhe me aktorë të shoqërisë civile, në programin e saj angazhohet për promovimin e parimeve të barazisë gjinor, si dhe forcimin e instrumenteve ligjorë dhe institucionalë mbrojtës për të siguruar politikat gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Duke iu referuar raportit të fundit të Monitorimit të Strategjisë Kombëtare të Barazisë gjinore dhe Dhunës në Familje, Marku evidenton arritjet dhe problematikat e hasur gjatë vitit 2010.
-Gruaja në politikë dhe vendimmarrje
Hartimi dhe zbatimi i Ligjit "Për Barazinë Gjinore në Shoqëri" e Kodit Zgjedhor përsa i përket kuotës gjinore, bëri që në zgjedhjet e fundit parlamentare përfaqësimi i gruas të rritet nga 7 % në 16%, duke shënuar progresin e parë në këtë drejtim, por jo në parametrat e sanksionuar nga ligji në kufijtë e 30%.
Por në procesin e zbatimit me sukses të kuotës gjinore, merr një rëndësi të veçantë vullneti i partive politike, për t'i pasur realisht gratë dhe vajzat në parlament dhe jo thjesht në listat elektorale.
Marku shpreh shqetësimin e institucioneve politikbërëse për arritjen e përmbushjes së detyrimit ligjor për realizimin e kuotës 30% në listat e kandidatëve që partitë politike do të paraqesin për këshillat bashkiakë dhe komunalë në zgjedhjet e 8 Majit.
Të dhënat tregojnë se në shkollat e larta regjistrohen më shumë vajza se djem, duke përbërë 58% të të gjithë studentëve që ndjekin arsimin e lartë. Në Universitete stafi akademik përbëhet nga 43,6% femra përkundrejt 56.4% meshkuj. Ndërkaq gra me grada shkencore janë 38%. Në administratën publike prania e grave është më inkurajuese, duke patur parasysh faktin që ato përbëjnë 43 % të numrit të përgjithshëm të punonjësve, kurse në nivel drejtimi ( nëpunësve te larte dhe drejtuesve), femrat zënë 27 %.
Aktualisht, në qeverisjen vendore ne Shqiperi, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit lokale 2007, kemi 1 kryetare bashkie nga 65 bashki, 3 kryetare minibashkie nga 11 në Tiranë dhe 6 kryetare komune nga 291 gjithsej.
Shqipëria gjendet përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2011. Sfida gjinore do të jetë një ndër treguesit kryesorë të tyre.
-Punësimi i grave
Çdo vit përmes Programeve të Nxitjes së Punësimit qeveria shqiptare vë në dispozicion të punëkërkuesve të papunë një fond prej afro 20 milionë lekë mesatarisht, nga i cili përfitojnë rreth 2200- 2500 punëkërkues të papunë, ndër të cilët 80 % janë gra dhe një pjesë e tyre viktima të dhunës në familje apo me predispozicion për të qënë të tilla. Nga Janari i vitit 2010 nga zbatimi i programeve të nxitjes së punësimit janë punësuar në total 1700 punëkerkues të papunë, nga të cilet 900 janë femra nga grupet e veçanta.
Të punësuar nga ndërmjetësimet, nëpërmjet zyrave të punësimit, gjatë vitit 2010 rezultojnë 12.317 punëkërkues të papunë, nga të cilët 6.343 janë femra (ose 51.5% e totali).
Për vitin 2010 kanë përfituar trajnim në kurse të ndryshme të profesioneve pranë Drejtorive Rajonale të Formimit Profesional Publik në total 8.485 persona, nga të cilët 4.514 janë femra ose 53% e totalit. Nga kategoria e punëkërkuesve të papunë emigrantë të kthyer, janë të regjistruar në shkallë vendi pranë zyrave të punësimit 642 persona, nga të cilët 142 janë femra (ose 22% e totalit).
Gratë përbëjnë rreth 45% të numrit të përgjithshëm të të papunëve, ndërkohë që në administratën publike gratë përbëjnë 43 % të numrit të përgjithshëm të punonjësve për t'u ulur në 27% përfaqësimin e tyre në nivel drejtimi.
Shifrat tregojnë se gratë janë të punësuara në sektorin shtetëror (arsim, shëndetësi, administratë publike, institucione të qeverisjes qendrore dhe vendore), në sektorin privat (kompani, ndërmarrje të vogla dhe te mesme), të vetëpunësuara në biznese e në bujqësi.
Gratë e punësuara në Shqipëri në sektorin privat, në industritë e ndryshme zotërojnë një arsim 8-vjeçar e të mesëm dhe niveli mesatar i pagave ndryshon nga 15.000 - 25.000 lekë në muaj. Në Shqipëri gruaja është e pranishme dhe në tregun informal të punës. Në mjaft rajone, sektori informal rivalizon në pagë dhe në punësim atë formal. Punësimi për gratë në sektorin informal është i shoqëruar me aktivitete ekonomike të pa sigurta dhe që nuk sigurojnë punësim me kohë të plotë, gjenerojnë të ardhura të ulta dhe janë të karakterizuara nga produktivitet relativisht i ulët.
-Dhuna në Familje
Të dhëna stastistikore për rastet e dhunës në familje tregojnë se gjatë vitit 2010, janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e Policisë së Shtetit 1998 raste të dhunës në familje, kur gjatë vitit të mëparshëm janë evidentuar dhe trajtuar 1217 raste.
Për to janë përgatitur rreth 1234 kërkesë -padi "Për lëshimin e Urdhërit të Menjëhershëm të Mbrojtjes/Urdhërit të Mbrojtjes , ndërsa gjatë vitit të mëparshëm janë përgatitur 841 kërkesa të tilla.
Konstatohet se dhuna në familje është një fenomen që ushtrohet kryesisht ndaj bashkëshorteve(femra). Kështu gjatë kësaj periudhe rezultojnë të dëmtuara nga dhuna e bashkëshortëve/partnerëve, 1279 bashkëshorte-femra, ose 63,5% e numrit të përgjithshëm të personave të dëmtuar nga dhuna në familje.
Në 2010 janë evidentuar 20 raste të vrasjes në persona me lidhje familjare, ku në 10 rastet viktima është bashkëshortja dhe në 10 raste persona te tjerë të familjes
Shtimi i rasteve të denoncuara është rezultat i garantimit nga strukturat e policisë të masave mbrojtëse të këtij ligji, si dhe i sensibilizimit e ndërgjegjësimit të viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjar.(nga ATSH-ja)

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer, bëri thirrje sot për pjesëmarrje më të madhe të gruas në jetën politike dhe sociale, me rastin e 100 vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
"Komisionet në Kuvend janë duke u formuar dhe unë e kam inkurajuar Kryetarin e Kuvendit që të sigurojë përfaqësimin e gruas nëpër komisione përtej kuotës së obliguar të 33 përqindëshit", tha Almhofer.
Në një përpjekje për të rritur përfaqësimin gjinor, OSBE ka ndihmuar në krijimin e grupeve joformale të grave nëpër asambletë komunale si dhe punën e Grupit Joformal Parlamentar të Grave në Kuvendin e Kosovës.
"Një aspekt tjetër i rëndësishëm në sigurimin e pjesëmarrjes së grave në jetën publike është garantimi i qasjes së papenguar në arsimim dhe zhvillim profesional, si dhe mbrojtja kundër dhunës gjinore", shtoi Almhofer.
OSBE implementon projekte në Kosovë, të cilat synojnë reduktimin e braktisjes së shkollës nga femrat e reja. OSBE gjithashtu punon me shkollat fillore dhe të mesme për të rritur vetëdijësimin rreth dhunës në familje dhe kërcënimin që paraqet trafikimi me qenie njerëzore.
Sllogani i Misionit për këtë 8 Mars, "Jo lule vetëm sot, por të drejta çdo ditë", thekson nevojën për të pasur përfaqësim gjinor dhe respekt për të drejtat e gruas në axhendë të përditshme të të gjitha institucioneve publike.
"Sot ka më shumë përfaqësim të grave në jetën publike se që ka pasur dhjetë apo qoftë edhe një vit më parë. Kjo megjithatë nuk mjafton, prandaj nevojitet më shumë mbështetje", tha Almhofer.







All the contents on this site are copyrighted ©.