2011-03-07 17:21:53

Shqipëri: nesër përfundon afati ligjor i regjimistrimit të partive në KQZ


Në Shqipëri nesër përfundon afati ligjor i parashikuar në kodin zgjedhor për regjistrimin e partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 8 majit.
Një ditë para skadimit të këtij afati, një numër subjektesh politike, sidomos nga forcat e opozitës, nuk janë regjistruar ende në Komisionin Zgjedhor, ndërkohë që sot Partia Demokristiane ishte i pari subjekt, pjesë e koalicionit të majtë opozitar, që u regjistrua zyrtarisht në KQZ.
Kodi zgjedhor parashikon që regjistrimi i partive politike duhet të kryhet maksimalisht deri 60 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe sipas të dhënave nga KQZ, deri tani pranë këtij institucioni janë regjistruar rreth 33 parti politike, që do të konkurojnë në garën elektorale të 8 majit.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, në vijimësi ka apeluar në adresë të forcave politike për të respektuar afatet ligjore të regjistrimit të subjekteve zgjedhore, në të kundërt, ka paralajmëruar ai, partitë do të përballen me pasojat ligjore.
Deklaratat e kreut të KQZ-së vijnë pas precedentit të kalimit të afatit për regjistrim të komisionerëve të KZAZ-ve, precedent ky i krijuar nga partitë e opozitës.
KZAZ-të, sipas ligjit, duhej të ishin konstituar në datën 7 shkurt, dhe në kushtet kur partitë e majta nuk iu përgjigjën afateve edhe pas thirrjes së KQZ-së, ky i fundit e zgjidhi ngërçin pak ditë më parë, duke i plotësuar vendet vakante të opozitës në 66 KZAZ-të e vendit, me përfaqësues nga shoqëria civile.
Tashmë ka nisur puna në KZAZ-të në të 12 qarqet e vendit, në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve lokale, që janë vlerësuar si shumë të rëndësishme nga faktorët dhe aktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë.
Ndërkohë, prej 12 janarit, KQZ vijon të funksionojë pa praninë e 3 komisionerëve, të cilët mbështesin linjën e bojkotit të opozitës, duke shkelur në këtë mënyrë dispozitat e kodit zgjedhor.







All the contents on this site are copyrighted ©.