2011-03-07 16:44:51

Në Qipro përfundoi takimi i kryetarëve të episkopateve të Jug-Lindjes së Evropës. Me ne, ipeshkvi bullgar, Projkov.


Përfundoi dje, më 6 mars, takimi i kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Jug-Lindjes së Evropës, mbajtur këto ditë në Qipro. I pranishëm edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike në Shqipëri, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë- Durrësit, imzot Rrok Mirdita.
Prelatët dialoguan sidomos për punën baritore me rininë, lidhur me përgatitjet e Ditës Botërore të Rinisë, që do të mbahet në Madrid. Pyetëm, për këtë takim të rëndësishëm, kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Bullgarisë, imzot Kristo Projkov. Në mikrofonin tonë, prelati ndalet pikërisht tek puna baritore me rininë në Bullgari, para e pas rënies së regjimit komunist:

Përgjigje: - Është e vërtetë se ne jemi breznia, që e jetoi me fund komunizmin e, deri sa e pa duke u shembur, nuk mundi as të ëndërrojë se ky regjim mund të zhdukej ndonjëherë. Prej këndej, shumëkush u vu në shërbim të tij, duke mohuar kështu vetveten e duke harruar se fjalën e fundit e ka gjithnjë Zoti. Regjimi u shemb vetvetiu, gjë që na mbushi me një gëzim të papërshkrueshëm, të pamasë. Na hapi horizonte, deri në atë ças krejt të mbyllura. Tashmë e kaluara ka mbetur vetëm një kujtim. Kujtimi i hidhur i një kohe, kur katekizmi me të rinjtë ishte krejtësisht i ndaluar. E ishte tejet e rrezikshme t’i mblidhje të rinjtë. Rrezikohej jo vetëm meshtari, por edhe e kryesisht vetë të rinjtë. E natyrisht ishte e ndaluar, madje jashtëzakonisht e rrezikshme, edhe të hyje në Kishë. Nuk gjinden fjalë, për të përshkruar marrëzirat që jetuam ne, për shumë e shumë vjet. Ja, këtë duam t’u mësojmë të vegjëlve tanë, breznisë sonë të re, që po rritet: ta mbrojnë lirinë, të jenë vërtet të lirë, plot me gëzim e me besim në Krishtin; t’ua rrëfejnë edhe të tjerëve fenë e tyre: pa kufi, pa shqetësim, pa frikë e pa tmerr. Duam të rrisim një brezni, që e jeton mëshirën e Zotit e që di të dashurojë.

Pyetje: - E si mund të realizohet konkretisht një mësim i tillë i çmuar?

Përgjigje: - Besoj se falja është e vetmja rrugë, nga e cila duhet të nisemi, e edhe duhet të vijojmë të ecim, duke u bërë shembull, për t’u kujtuar të rinjve se ndonëse vuajtëm shumë nën regjimin komunist-ateist, ne jemi përmbi regjimet, përmbi ngjarjet e së kaluarës, se dimë të falim e t’u përcjellim të gjithë njerëzve mesazhin e faljes. Të mos harrojmë: të falësh do të thotë të duash. Unë besoj se martirët tanë, që jo vetëm vuajtën, por dhuruan edhe jetën, duke i falur persekutuesit deri në pikën e fundit të gjakut, duhet të jenë shembulli kryesor për brezninë e re, e cila po rritet në duart tona.







All the contents on this site are copyrighted ©.