2011-03-07 17:34:36

Nesër në Bruksel bisedimet e para të drejtpërdrejta midis Prishtinës e Beogradit


Pritet të fillojnë nesër në Bruksel më 8 mars, bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Brukseli zyrtar ka konfirmuar se me këtë rast do të takohen shefat e grupeve të ekipeve negociatore të Prishtinës e Beogradit, hap ky që duket se shënon fillimin e dialogut. Kështu Bisedimet e para të drejtpërdrejta midis Prishtinës e Beogradit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që fillojnë nesër në Bruksel. do të zgjasin dy ditë, thuhet në një njoftimin të BE-së.
Me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE-së, Robert Cooper, bisedimet do të përqendrohen në problemet praktike, siç janë kontrolli i kufijve dhe dokumentet personale, ndërkaq çështjet politike do të shmangen.
Delegacionin e Prishtinës do ta kryesojë nënkryetarja e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, kurse atë serb drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Boris Stefanovic.
Kuvendi i Kosovës pritet të nxjerrë një rezolutë, por nuk dihet nëse do të ketë unitet për këtë dokument, meqë Lëvizja Vetëvendosje, si forca e tretë në Kuvend, tashmë ka bërë të qartë se është kundër negociatave dhe se do të përpiqet që këtë qëndrim ta fusë në rezolutë. Javën e kaluara në Kosovë ka qëndruar dy herë Robert Kuper, zyrtar i lartë i kabinetit të shefes së diplomacisë evropiane, Ketrin Eshton. Vizitën e tij në Prishtinë e në Beograd, zyrtarët e Brukselit e kanë konsideruar si pjesë të konsultimeve të fundit para se palët të nisin vetë dialogun.







All the contents on this site are copyrighted ©.