2011-03-07 18:18:36

Kuvendi i Kosovës ‘bllokon’bisedimet me Beogradin


Projektrezoluta e propozuar nga PDK-ja nuk është përkrahur nga opozita, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje doli me një projektrezolutë të saj kundër bisedimeve. Me votat e shumicës së deputetëve u vendos që shefat e grupeve parlamentare të përpiqen të hartojnë deri të enjten një projektrezolutë të përbashkët. Pas këtij vendimi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se i takon delegacionit të Kosovës të vendos nëse duhet shkruar apo jo të martën në Bruksel, në takimin që do të shënonte fillimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kryeministri Hashim Thaçi kërkoi mbështetjen e deputetëve për nisjen e këtyre bisedimeve, përderisa tri partitë opozitare u pozicionuan kundër, duke kërkuar që para nisjes së bisedimeve të ketë një platformë për këtë dialog. Thaçi e cilësoi dialogun si një proces të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për Kosovën. Sipas tij, ky dialog shënon përpjekjet e para ndërmjet dyja shteteve për normalizimin e marrëdhënieve.
Kryeministri kërkoi mbështetjen e Kuvendit për procesin e dialogut, duke shprehur besimin se Kosova e ka mbështetjen paraprake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Prania e faktorit ndërkombëtar është garant i suksesit të këtij dialogu, tha kryeministri. Ai shprehu besimin se ky proces do të përfundojë me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Kurse, pa këtë dialog, Kosova, sipas tij, nuk mund të fitojë perspektivën e saj evropiane.
Dialogut i dha mbështetje Partia Demokratike e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, propozoi miratimin e një rezolute nga Kuvendi në mbështetje të bisedimeve. Por opozita shprehu qëndrime krejtësisht të kundërta me kryeministrin dhe partinë e tij në Kuvend. Duke mos u pajtuar me kryeministrin Thaçi, deputeti Sabri Hamiti tha se perspektiva evropiane e Kosovës nuk varet fare nga Serbia, por nga zhvillimi i saj i brendshëm. Kurse dialogu, sipas tij, në këtë fazë i duhet Serbisë që të sigurojë statusin e kandidatit për integrim në BE.
Të ashpër në fjalimet e tyre u paraqitën deputetët e Vetëvendosjes. Ky subjekt politik kërkoi fillimisht aprovimin e një rezolute kundër bisedimeve me Serbinë, përderisa ky vend të mos e njohë Kosovën si shtet dhe të mos i largojë nga Kosova strukturat e saj paralele. Lideri dhe deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se Kosova po i bën një shërbim Serbisë duke i dëmtuar interesat e veta për fajin e politikës së saj të korruptuar.
“Në takimin e nesërm në Bruksel, zonja Edita Tahiri do të mundësojë që Serbia të duket ashtu siç nuk është. Të duket e mirë me shqiptarët, ndaj të cilëve nuk lëshon asnjë shans që t’ua nxijë jetën dhe të fitojë pikë për fqinjësinë e mirë karshi Kosovës, brenda së cilës i financon dhe dirigjon strukturat e saj ilegale”.
“Këto bisedime po i nevojiten kryeministrit Thaçi për pushtet e jo Kosovës si shtet. Politikanët e korruptuar e shantazhuar si puna e Hashim Thaçit po i pranojnë negociatat në mënyrë që korrupsioni e shantazhi ndaj tyre të bëhet i negociueshëm”, u shpreh Kurti.
Kundër dialogut u pozicionua edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Nënkryetari i saj, Ahmet Isufi, tha se qeveria po nxiton për të dialoguar me Serbinë pa e pasur idenë se çka do të përfitojë dhe çka mund të humbë vendi. “Shkohet në bisedime pa pasur agjendë, pa pasur platformë, pa e pasur një marrëveshje, konsensus të brendshëm, i cili do të mundësonte bisedime serioze. Me mënyrën se si po sillet kjo qeveri, unë e di që s’ka fat tjetër përveçse sa më shpejt të shkojë prej këtij institucioni kjo përbërje”, tha Isufi.
Po ashtu, edhe deputetët e PDK-së nuk ishin unik në qëndrimet e tyre karshi dialogut. Deputeti Fatmir Limaj tha se Kosova duhet t’i adresohet BE-së dhe Uashingtonit me kërkesat e veta para se të hyjë në bisedime. “Serbia, pa kushte, ta bëjë shuarjen zyrtarisht të të gjitha institucioneve ilegale, paralele me të cilat ka cenuar dhe cenon integritetin territorial të Kosovës, dhe jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën. Serbia të bëjë shuarjen dhe largimin e administratës, policisë, MUP-it, BIA-s, dhe të gjithë mekanizmave që në një mënyrë, apo një tjetër po ndikojnë direkt në cenueshmërinë e sigurisë në Kosovë”, tha Limaj.
Bisedimet e para të drejtpërdrejta midis Prishtinës dhe Beogradit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u paralajmëruar se do të fillojnë të martën në Bruksel dhe do të zgjasin dy ditë, thuhej në njoftimin e BE-së. Mirëpo pas debatit të sotëm në Kuvend, nuk është bërë e qartë nëse do të zhvillohet apo jo takimi i së martës në Bruksel. Lidhur me këtë, kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, tha se i takon delegacionit të Kosovës të vendos nëse duhet shkruar apo jo të martën në Bruksel. /nga Telegrafi/







All the contents on this site are copyrighted ©.