2011-03-07 18:03:04

Kardinali Toran në Meshën kremtuar për kujtim të Shahbaz Bhatit: martir e dëshmitar i vërtetë i fesë së krishterë.


(07.03.2011 RV)“Martir i vërtetë kristian, që flijoi jetën e vet, për atë të vëllezërve”. Kështu u kujtua ministri pakistanez, Shahbaz Bhati, në Meshën për shpirtin e tij, kremtuar dje pasdite, sipas ndjejtit të Shoqatës të të krishterëve pakistanezë, pranë Këshillit Papnor të Shën Pjetrit Apostull, në Romë. Kremtimin e kryesoi kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar.
“E di se do të më vrasin; jam gati ta dhuroj jetën time për Krishtin e për dialogun ndërfetar”. Këto janë fjalët e fundit të Shahbaz Bhatit. E këto i theksoi edhe kardinali Zhan-Lui Toran, i cili dje pasdite kremtoi një Meshë drite, duke kujtuar me nderim të thellë ministrin pakistanez, mbytur mizorisht të mërkurën e kaluar. Në një botë, ku disa janë të krishterë vetëm për emër, Shahbaz Bhati jetoi si martir e si dëshmitar i vërtetë i besimit në Krishtin - janë fjalët e kardinalit:
“Sot kemi para syve tanë jetën e ndritur të Shahbaz Bhatit. Ai zgjodhi Krishtin për shpëtimtar; Kishën për nënë e të gjithë qeniet njerëzore për vëllezër”.
“Nuk dua pozita në pushtet, dua vetëm një vend tek këmbët e Krishtit, dua që jeta ime, karakteri im, veprat e mia të flasin për mua e të thonë se jam duke i shërbyer Jezu Krishtit”- pati shkruar ministri në testamentin e tij shpirtëror. E ja, pra, theksoi kardinali në homeli - se takimi i syve të Shahbaz Bhatit me sytë e Krishtit i dha guxim t’u shërbejë vëllezërve të tij e vendit të tij, duke vënë në rrezik edhe jetën. E në se ai ushtroi pushtet, ushtroi vetëm pushtetin e zemrës. Në se Jezusi ka thënë: “Askush nuk mund të ma marrë jetën, jam unë vetë që e dhuroj”, Shahbaz Bhati mundi të thotë: “Ia kushtoj jetën time Jezu Krishtit”, duke na kujtuar, me flijimin e tij, flijimin e Krishtit në kryq.
Nuk mund të ketë krishterim, pa kryq. Dashtë Zoti e na ndihmoftë ta kuptojmë më mirë të gjithë ç’do të thotë të japësh jetën tënde për vëllezërit”.Kardinali Tauran kërkon, më pas, ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare në mbështetje të bashkësisë katolike pakistaneze, duke kujtuar mesazhin e Atit të Shenjtë për ditën botërore të paqes të fillimit të vitit: “Mbrojtja e pakicave fetare nuk është kërcënim për shumicën e popullsisë, por mundësi për dialogun e për pasurimin reciprok kulturor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.