2011-03-07 16:51:38

Furia e Gedafit në Libi. OKB-ja kërkon 160 milion dollarë për ndihma tremujore


Tashmë është luftë e hapur në Libi. Ngadalë, por në mënyrë të pashmangshme, ushtria libiane përparon drejt lindjes, përgjatë rrugës strategjike në breg të Mesdheut, në kundërofensivën e nisur për t’i bërë kryengritësit të dorëzojnë armët. OKB-ja kërkon ndalimin e sulmeve kundër civilëve, por po bëhet gjithnjë e më e realizueshme hipoteza e krijimit të një zone mosfluturimi ajror, apo “no-fly zone”, pas mbështetjes, që i dha kësaj ideje Lidhja Arabe.
Sipas presidentit Obama, NATO po shqyrton mundësinë ushtarake. Për krizën e Libisë NATO-ja është duke konsideruar “një sërë zgjedhjesh të mundshme, përfshirë edhe atë ushtarak”. Kështu tha presidenti i SHBA-së, Barak Obama, pas një takimi me kryeministrin e Australisë Julia Gillard.
Italia, vendi evropian, që ndoshta e njeh Libinë më mirë se të tjerët, është lidhur me rebelët, por pa bujë, në mënyrë që të mos krijohet konfuzion mbi qëllimet e mbi mjetet e Romës. Në Bengazi arriti anija patrullë e Marinës Ushtarake Italiane “Libra” me ushqime e gjëra të tjera të nevojshme për popullsinë. Ndërkaq, gazeta britanike “The Indipendent” zbulon një plan amerikan për të furnizuar kryengritësit me armë përmes Arabisë Saudite.

Pasi rifituan Bin Xhauadin, forcat besnike të Gedafit përparojnë drejt qytetit naftëmbajtës të Ras Lanufit. Aviacioni ka bombarduar disa herë zonën përreth. Është bombarduar edhe Axhedabia, një nga zonat kryesore në duart e rebelëve në Cirenajkë.

OKB-ja ka kërkuar 160 milion dollarë për të ndihmuar refugjatët dhe popullsinë libiane për 3 muaj. Sipas llogarive të Kombeve të Bashkuara, 400 mijë vetë do të largohen nga Libia, ndërsa 600 mijë të tjerë do të shpërngulen brenda përbrenda vendit.

Karitasi i Tripolit bën thirrje të ndihmohen refugjatët afrikanë, që kanë mbetur në kryeqytet, për të cilët nuk kujdeset askush. Ata vijnë nga Eritrea, Etiopia, Somalia e vende të tjera të Afrikës sub-sahariane, ku kanë qenë të persekutuar. Të dëgjojmë përgjegjësin e Karitasit Italian për fushën ndërkombëtare, Paolo Beçegato:
Sapo kemi kontaktuar e sapo kemi marrë një raport të detajuar mbi Libinë dhe Egjiptin, si edhe mbi kufirin ndërmjet Libisë e Tunizisë, mbi ngjarjet në jug të Libisë, drejt Nigerit e Çadit. Jemi shumë të shqetësuar për gjendjen e emigrantëve, pra të personave që punonjnë në Libi, por nuk janë vendas. Në veçanti, mijëra aziatikë – bengalezë, pakistanezë e filipinas – janë në kushte shumë të vështira, pasi nuk dinë ç’të bëjnë e ku të shkojnë. Një grup i dytë problematik është sub-saharian. Njerëzit nuk mund të kthehen në vendin e tyre, sidomos në Mali e në Sudan, pasi duhet të kalojnë shkretëtirën në jug e transporti nuk funksionon. Problemi tjetër ka të bëjë me të gjithë ata njerëz, që arrijnë të dalin nga Libia, në kufirin me Tunizinë, ose Egjiptin e nuk gjejnë përfaqësues nga konsullata, apo nga ambasada, që t’u japë informacion e t’u tregojë se ç’duhet të bëjnë. Po përpiqemi të kontaktojmë qeveritë – ia kemi arritur për shembull me Bangladeshin – që të venë në dispozicion personelin e ambasadave.
A është i pranishëm Karitasi në Libi, pas ikjes së shumë organizatave ndërkombëtare?
Po, në Libi ekziston një Karitas i vogël, që po punon sidomos për refugjatët dhe emigrantët, në veçanti për bashkësinë e madhe nga Eritrea. Veprimtaria zhvillohet kryesisht në Tripoli. Pastaj, ka grupe e misione, që ndodhen në kufi me Egjiptin e me Tunizinë; një pjesë tjetër siguron mikpritjen e personave, që drejtohen në jug. Nevojat janë shumë të mëdha. Flitet për rreth 100 mijë vetë, që kanë ikur drejt perëndimit e po aq drejt lindjes, pra drejt Egjiptit. Shohim me sy valët, që po vijnë drejt veriut e nuk flitet aspak për ata, që shkojnë në jug e u duhet të kapërcejnë shkretëtirën.







All the contents on this site are copyrighted ©.