Atë Luigj Paliqi, në përvjetorin e martirizimit për Fe e Atdhe
Martiri i Krishtit dhe i Kombit, Atë Luigji lindi në Janjevë të Kosovës më 21 shkurt
1879. Prindërit Toma e Paulina e pagëzuan me emrin Mati. Që i vogël u thirr nga
Zoti për rrugën rregulltare në radhët e fretërve të vegjël françeskanë. Studioi në
Shkodër, Troshan e Itali, ku më 23 shtator 1896 veshi zhgunin e Shën Françeskut. Kushtet
e përkohshme i bëri më 23 shtator 1897, të përjetshmet, më 8 dhjetor 1901. Mbas
meshës së parë, më 20 prill 1903, nisi misionin si bari i shpirtrave në Baz, 10 orë
larg Lezhës, e njëkohësisht mblodhi lëndën që i nevojitej për ndërtimin e Kishës së
re të Gllogjanit. Nga fundi i shkurtit 1913 malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve
katolikë, duke nxjerrë si pretekst dorëzimin e armëve. Bariu trim u kap e u burgos
në burgun e Gjakovës, në sa vizitonte besimtarët e shpërndarë në fshatra të ndryshme,
për t'i përforcuar në fenë e të parëve, e cila ishte në rrezik. I kërkuan ta mohojë
publikisht këtë fe. E dërmuan me shuplaka e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj
e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, me 52 të burgosur të
tjerë, e nisën rishtas për Pejë. Patër Luzi ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me
plagë. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje treguan më pas se ai nuk mund të ecte më. Atëherë
nisi të hiqej zvarrë, i ngacmuar, i pështyrë, i shtyrë nga ushtarët. I mungonte vetëm
Kryqi, për t'i përngjarë plotësisht Krishtit. Një pop i bëri thirrjen e fundit
të ndërronte fenë, në se nuk donte të humbiste jo vetëm kokën, por dhe shpirtin, i
cili do t'i digjej në fund të skëterrës. Ai s'u përkul, nuk u thye as nga mundimet
e as nga premtimet. U tregoi atyre njerëzve të armatosur deri në dhëmbë se për të
feja e populli i tij vlenin më shumë se vetë jeta. E mbytën më 7 mars 1913, duke
e shporuar me bajoneta e kështu e bënë edhe më të ngjashëm me Krishtin e i falën një
martir të ri Kishës katolike në Shqipëri. Gazetat evropiane të kohës, si e përshkruanin
këtë ngjarje të shëmtuar, shkruanin: "Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të
ngjasë në Evropën e shekullit XX". Gjithsesi askush nuk e luajti gishtin për t'ia
prerë rrugën tragjedive të tilla, për t'i dhënë fund martirizimit të të krishterëve
në trojet shqiptare. Pas Atë Luzit apo Luigjit, mbytur barbarisht nga serbët, do të
binin në fushën e betejës për mbrojtjen e Ungjillit të Krishtit disa qindra të tjerë.
E Evropa, rishtas me gojë hapur, sikur trojet shqiptare të mos ishin pjesë e saj,
do të çuditej duke parë si në Kolosetë moderne bijtë e Krishtit vijonin ta dhuronin
pa kursim gjakun për Kishën e tyre, për popullin e tyre, për Atdheun e tyre e, pse
jo, edhe për një Evropë më të krishterë, më të mirë!Shumë bujë bëri vdekja e tij.
E shumë hetime e bisedime diplomatike shkaktoi. Më në fund, më 7 tetor 1913, në praninë
e Kolonelit austro-hungarez Schueler, përfaqësuesit të qeverisë malazeze Sposojeviç,
Imzot Lazër Mjedës dhe një turme pafund me rregulltarë e besimtarë, u bekua guri i
parë i Kishës së re në Gllogjan. Të nesërmen, më 8 tetor 1913, e njëjta turmë
u mblodh afër Janoshit, te varri i Atë Luzit, mbi krye të të cilit ishte vendosur
një Kryq hekuri me këtë mbishkrim: "P. Aloysius Paliq, ndërroi jetë në vitin e Hyjit
1913" . Ky varr, ku ipeshkvi Imzot Lazër Mjeda çoi meshën e parë për shpirt të martirit,
është kthyer prej kohe në vend shtegtimi e në të ardhmen urojmë të kthehet në një
elter të ri. Martiri fitoi! Kujtojmë se Atë Luigj Paliqi është në listën e 40 martirëve
shqiptarë, çështja e të cilëve ka kaluar në Vatikan për të vijuar procedurën deri
në pritje të miratimit e shpalljes së tyre shenjtorë martirë.