2011-03-06 14:50:41

Si sot, 20 vjet më parë, shqiptarët thyen dyert e burgut komunist dhe u nisën me ç’mundën për në Itali


6 marsi i vitit 1991 do të kujtohet nga shumë shqiptarë, që të lodhur, të gënjyer, të shpërfytyruar nga diktatura komuniste, mësynë portet, sidomos atë të Durrësit e me anijet, që gjetën aty, të mëdha e të vogla, u nisën drejt Italisë. Kush nuk i kujton fotografitë e atyre, që të nesërmen zbritën në Brindizi, në Otranto e në Bari? Shprehja popullore “mizë lisi” i përshtatet katërcipërisht kësaj situate e vërtet, mediat italiane raportuan për rreth 25 mijë vetë. Anija e fundit, që u ankorua në portin e Brindizit nuk ishte as shqiptare, vinte nga Panamaja e u “sekuestrua” nga shqiptarët për të ardhur në Itali.
Pas hyrjes nëpër ambasada, një vit më parë, ky eksod i marsit qe goditja përfundimtare për regjimin komunist. Më 31 mars 1991 do të zhvilloheshin zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Sot, pas 20 vjetësh, shumë prej emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Itali, kanë ardhur pikërisht ato ditë të para të marsit, me kokën në rrezik. E më shumë se në Shqipëri, ky përvjetor është kujtuar në Itali, me aktivitete, që vazhdojnë, sidomos në Otranto e në Brindizi. Në Otranto, emigrantët e parë shqiptarë pas komunizmit u festuan më 3 mars, me veprimtari të organizuara nga don Gjuzepe Kolavero, themelues i shoqatës “Agimi”, e përhapur sidomos në jug të Shqipërisë. Në Brindizi, nisma me titull “Qyteti mikpritës: Shqipëri-Brindizi 20 vjet më pas” do të fillojë më 11 mars me paraqitjen e dokumentarit “Shqipëria, vendi përballë” të Roland Sejkos, prodhuar nga Instituti “Luce”, për të vazhduar deri më 13 mars, me çaste spektakli dhe ballafaqimesh, me instalime artistike, rrëfime, koncerte, konferenca etj.. Të dëgjojmë komentin e ambasadorit shqiptar në Itali, Llesh Kola.







All the contents on this site are copyrighted ©.