(04.03.2011 RV)Revolta e Libisë vazhdoi sot në Tripoli, me një manifestim proteste,
pikërisht në ditën e premte, ditë e lutjes për myslimanët. Pati ndeshje me forcat
e rendit e u dëgjuan të shtëna ne lagjen Taxhura, ku kryengritësit kërkuan fundin
e regjimit të Muhamar Gedafit. Policia përdori gazin lotsjellës. Në marrshimin
drejt perëndimit, rebelët sulmuan qytetin naftëmbajtës të Ras Lanufit, ku deklarojnë
se kanë në dorë aeroportin. Për të tretën ditë rresht, aviacioni i regjimit bombardoi
enklavën naftëmbajtëse të Bregës, në duart e kryengritësve, thelbësore për të furnizuar
me elektricitet lindjen e vendit. Sipas një dëshmitari, ushtarët e Gedafit kanë qëlluar
edhe kundër ambulancave, për të penguar transportimin e të plagosurve në spital. Një
avion luftarak libian ka bombarduar edhe një bazë ushtarake në duar të rebelëve, në
lindje të vendit. E ndërsa nafta arrin maja prej 103 dollarësh për një fuçi, bashkësia
ndërkombëtare kërkon një rrugëdalje. Interpoli shpërndau sot një urdhër “alarmi global”
portokalli, për ta penguar Gedafin dhe 15 anëtarë të grupit të tij, përfshirë familjarët,
të largohen nga Libia. Bashkimi Evropian po vlerën bllokimin detar të Libisë, për
të siguruar respektimin e embargos së armëve. Komisioni i OKB-së për Refugjatët shprehu
frikën se regjimi po pengon mbërritjen e refugjatëve në kufi me Tunizinë.