Më 4 mars 1946 filloi masakra komuniste kundër klerit katolik në Shqipëri
Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 4 mars, përkujtojmë fillimet e masakrës
masive komuniste kundër klerit katolik në Shqipëri. Në orën pesë të mëngjesit të datës
4 mars 1946 u pushkatuan në Shkodër, pranë varrezave të qytetit, atë Gjovanni Fausti
e atë Daniel Dajani, së bashku me nxënësin Mark Çuni, atë Gjon Shllakun ofm, Qerim
Sadikun dhe Gjelosh Lulashin. U akuzuan si sabotues e armiq të popullit, meqë ishin
anëtarë të Shoqatës Bashkimi shqiptar, në të vërtetë u pushkatuan me urdhër të diktatorit
famëkeq komunist Enver Hoxha vetëm pse besonin në Zotin e vetëm pse mbronin të drejtat
themelore të popullit e të atdheut. Vrasja e këtyre martirëve ishte vetëm fillimi
i rrugës së kalvarit, që përshkoi kleri e populli shqiptar gjatë regjimit komunist,
kalvar që ngadhënjeu mbi errësirën dhe tmerret e përbindshme të diktaturës komuniste
në Shqipëri. Ja shkurtimisht disa të dhëna mbi martirët e parë të Kishës shqiptare
në kohën e diktaturës komuniste: Atë Daniel Dajani s.j. Lindi në Blinisht
(Zadrimë), më 2 Dhjetor 1906. Pas shkollës fillore, të cilën e kreu në fshatin e tij,
shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe të teologjisë. U shugurua meshtar
në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri dhe dha mësimin e latinishtes
në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm dhe i zellshëm, i kujdesshëm për të mirën e shpirtrave,
e mbi të gjitha për formimin e seminaristëve, me të cilët ishte shumë i afërt dhe
i gatshëm, ishte si një vëlla; shumë i dashur nga të gjithë. U arrestua bashkë me
Atë Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946. U torturua në mënyrë
çnjerëzore. Atë Giovanni Fausti s.j. Lindi në Broco të Breshës (Itali),
më 19 Tetor 1899. Studioi në qytetin e vet, në seminarin ipeshkvnor. U shugurua meshtar
në Romë, më 9 korrik 1922. Pas hyrjes në Shoqërinë e Jezusit, e dërguan në Shqipëri.
Person me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe. Në Shqipëri kishte detyrën
e zëvendësprovincialit. Ndërsa po i shpinin drejt pushkatimit, forconte vetveten dhe
të tjerët me fjalët e psalmistit: "Të shkojmë në shtëpinë e Zotit". U arrestua më
31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Dajanin, dhe pastaj u pushkatua më 4 mars 1946. Atë
Gjon Shllaku ofm: Lindi në Shkodër, më 27 Korrik 1907. Shkollën fillore dhe
të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios
në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Holandë dhe në Sorbona të Parisit,
ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Kur u kthye në Shqipëri, qe
profesor i filozofisë në liceun "Illyricum" të françeskanëve (Shkodër). U arrestua
para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe u pushkatua
më 4 mars. Fjalët e tij të fundit, siç del nga aktet, qenë: "Rroftë Krishti Mbret!
I falim armiqtë tanë!". Mark Çuni, seminarist Lindi në Rranxa të Bushatit
(Shkodër), më 30 shtator 1919. Pas shkollës fillore, kryer në fshatin e vet, shkollën
e mesme e kreu në Shkodër dhe tetëmbëdhjetëvjeçar vazhdoi studimet në Seminarin Papnor
në Shkodër. Qe themelues klandestin i organizatës politike "Bashkimi Shqiptar" brenda
seminarit. Eprorët e tij nuk e dinin një gjë të tillë. Kur organizata u zbulua nga
qeveria, u arrestuan Atë Fausti e Atë Dajani, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit.
Pastaj seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët e vet. U pushkatua
më 4 mars 1946. Në përkujtimin e pushkatimit të martirëve të lartpërmendur, po
ndalemi tek dy prej tyre e pikërisht tek figura e Atë Daniel Dajanit e Atë Gjovani
Faustit, për të cilët flasim me Atë Lelo Lancilin, jezuit.....