2011-03-04 15:34:56

Kthimi i shën Pelinit në Atdhe u prit me gëzim të madh


Rikthimi i shën Pelinit në Atdhe pas shekujsh u prit më gëzim të madh. Në Kishën Katedrale të së Lumes Nënë Terezë, në Vau Dejës, sot u kremtua Mesha e Shenjtë me rastin e pritjes së ipeshkvit e martirit të shekullit të VII, shën Pelinit, në tokën e të parëve. Këtij kthimit të veçantë e të rëndësishëm iu kushtua kremtimi solemnisht i Eukaristisë e përshëndetja plotë entuziazëm e Kishës dhe besimtarëve shqiptarë, me një falënderim të përzemërt ndaj miqve italianë që e bënë të mundur këtë përqafim mes shën Pellinit e popullit të tij shqiptar. Më hollësisht nga Vau Dejës na njofton Violeta Marashi.........RealAudioMP3

Katedralja e Lumes Nënë Terezë në Vau Dejës me 04 mars 2011.

Homelia e ipeshkvit te Sapës imzot Lucjan Avgustinit kushtuar kthimit të shën Pelinit, iepshkëv e martir në Atdhe gjatë Meshës së kremtuar në Vau Dejës.

Fort të nderuar vëllezër në Episkopat,
Imzot Pietro Santoro, ipeshkëv i Avezanos me të cilën Dioqeza e Sapës është e lidhur ngushtë që nga fillimi i lirisë fetare pas komunizmit, posaçërisht përmes meshtarit Don Antonio Sciarra, iniciatorit të gjithë kësaj ngjarjeje historike.
Fort i nderuari Imzot Angelo Spina, Ipeshkëv i Sulmonës, i cili në ditën e sotme na gëzon shumë me rikthimin e trupores dhe relikeve të Shën Pelinit në atdheun e tij, tokë e martirizuar gjatë shekujve.
Të nderuar vëllezër meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, besimtarë të dashur; posaçërisht përshëndes miqtë të ardhur nga Italia si delegacion me rastin e këtij kremtimi dhe ju të dashur Legjionarë të Marisë të pranishëm në këtë kremtim Eukaristik.
Me lejoni që t’ju shpjegoj se çfarë rëndësie ka dita e sotme për Dioqezën e Sapës për Shqipërinë dhe popullin tonë.
Sot, duke iu falënderuar angazhimit të meshtarit Fidei Donum nga Dioqeza e Avezanos, Don Antonio Sciarra, si dhe gjithë Misionit në Blinisht, meshtarë, rregulltarë dhe laikë, po rikthehet në Atdheun e vet truporja dhe reliket e Shën Pelinit, murg i formuar në shkollën e Shën Bazilit, i lindur në Durrës. Ishte ipeshkëv i Brindizit, u martirizua në Korfinio të Abrucos në Itali, në kohën e Julianit apostat.
Falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të dy ipeshkvijve të pranishëm sot në këtë Kishë Katedrale Imzot Pietro Santoro cili i ka dhurua kësaj trupore edhe shkopin apo pastoralin ipeshkvnor dhe imzot Angelo Spina, i cili e ka pasurua truporen e shenjtit me kryqin, ipeshkvi i Sulmonës ku edhe ndodhet Bazilika e lashtë konkatedrale kushtuar shën Pelinit, që është shumë i nderuar dhe i dashur nga besimtarët e zonës, u mundësua kthimi dhe nderimi në tokën dhe vendin e tij të dashur e të martirizuar gjatë shekujve për fenë e Jezu Krishtit Zot.
Mjafton vetëm që të ndalemi para pikturës në këtë Kishë Katedrale të realizuar nga piktori Pjerin Sheldia, ku paraqitet martirizimi i popullit shqiptar, aty ku është vendosur pagëzimorja, sepse gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj.
Aty na paraqiten tri periudha të martirizimit të popullit tone; periudha romake, ajo 500 vjeçare otomane, dhe e fundit ajo e ateizmit komunist, ajo e një ideologjie të gabueshme e cila ka dashtë të largojë Zotin dhe besimin nga zemrat e besimtarëve.
Pikërisht, në ditën e sotme ne kujtomë 65 vjetorin e pushkatimit të martirëve të Kishës sonë në Shqipëri , të Jezuitëve, Atë Giovani Fausti nga Italia, birin e Dioqezës sonë Atë Daniel Dajanin, nga Blinishti, pastaj Atë Gjon Shllaku, françeskan si dhe seminaristin Mark Çuni. U pushkatuan së ashku në varrezat e Rrëmajit në Shkodër. Duke dëshmuar fenë dhe dashurinë edhe ndaj armiqëve.
Njëkohësisht me kremtimin e kësaj Eukaristie në të cilën i gëzohemi dhuratës që na bëhet me rikthimin e relikeve dhe trupores së Shën Pelinit, ne fillojmë edhe përgatitjen për kujtimin e shugurimit të Kishës në Blinisht, që përkon me ditën e nesërme, e cila i kushtohet shenjtërve dhe martirëve shqiptar, ku me vendosjen e trupores dhe relikeve të shën Pelinit që rikthehet në atdheun e vet, është më e pasur dhe më e bukur, me shembullin e jetës, mësimin dhe nxitjen që duhet të marrim si të krishterë në jetën tonë të përditshme.
Shën Pelini lindi në Durrës rreth vitit 620. Ishte murg bazilian, kundërshtar i mësimeve të gabueshme ose herezive të asaj kohe në periudhën e Bizantit gjatë perandorit Herakli I e pastaj edhe gjatë Kostantit II (648). Shenjti i qëndroi gjithmonë besnik Krishtit dhe Kishës. Pas vdekjes së ipeshkvit të atëhershëm Proklit, u zgjodh në krye të dioqezës së Brindizit. Kundërshtoi fuqishëm qëndrimet e Kostandinopojës e për këtë arsye, funksionarët e perandorisë Bizantine me urdhër të basileusit e internuan në Korfinio (Abruco e sotme), ku u dënua me vdekje dhe u vra së bashku me dishepujt e vet, më 5 dhjetor të vitit 662. Shën Pelini është pajtor i dioqezës së Sulmona-Valvës. Një bazilikë e shenjtit ndodhet në Korfinio dhe kulti i tij në Marsika dëshmohet edhe nga emri i fshatit shën Pelini, pranë Avecanos, ku mendohet të ketë kaluar shenjti, pas një udhëtimi në Romë.
Por çfarë porosie dhe mësimi na jep ky shenjt dhe martirët të cilët ne i kujtojmë?
Mësimi është i qartë: çdo i krishterë duhet të ketë miqësi me Jezusin Zot, të vetmin Shpëtimtar. Në këtë miqësi duhet të dimë për t’ua përcjellë dashurinë e tij të gjithë njerëzve. “S’ka gjë më të bukur, sesa ta njohësh Jezusin e t’ia komunikosh edhe të tjerëve miqësinë me Të”, thotë Papa Benedikti XVI. Miqësi që nuk të merr shumë kohë, por që të jep gjithçka: “Vetëm kjo miqësi të ndihmon t’i zbulosh të gjitha aftësitë njerëzore. Vetëm përmes kësaj miqësie mund të provosh atë që është e bukur, që të çliron. Mos kini frikë nga Krishti! Ai nuk të merr asgjë, e të dhuron gjithçka. Kush ia dhuron vetveten, merr qindfish. Po, hapjani portat Krishtit – e do të gjeni jetën e vërtetë” vazhdon Papa.
Gëzimi i vërtetë gjendet në lidhjen me Të, pasi ta takojmë, ta ndjekim, ta njohim, ta duam. Të jesh dishepull i Krishtit: kjo i mjafton të krishterit.
Jezusi ka thënë: ‘Dashuria më e madhe që mund të tregojë ndokush, është të japë jetën për miqtë e vet’. Çdo dëshmitar i fesë e jeton këtë dashuri ‘më të madhe’ dhe, duke ecur në gjurmët e Mësuesit hyjnor, është gati të flijojë jetën për Mbretërinë e Hyjit. Ja edhe dëshmia që na e japin shenjtërit dhe martirët tanë.
Miqësia e vërtetë me Jezusin shprehet në mënyrën si jeton, në mirësinë e zemrës, në përvujtërinë, në butësinë e në mëshirën, në dashurinë për drejtësinë e vërtetësinë, në impenjimin e sinqertë e të ndershëm për paqen e pajtimin. Kjo – mund të themi – është ‘karta e identitetit’, që tregon se jemi vërtetë miqtë e tij të ngushtë; kjo është ‘pasaporta’ që na lejon të hyjmë në jetën e amshuar”
Urojmë, që shenjti me prejardhje nga Durrësi, shën Pelini si dhe martirët tanë që sot po i kujtojmë në ditën e tyre të pushkatimit të ndërmjetësojnë pranë Hyjit për vendin dhe popullin tonë, posaçërisht që t’u shndrisë mendjen të gjithë atyre, që e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të angazhohen për të mirën dhe mirëqenien e vendit dhe popullit që të punojnë me dashuri dhe drejtësi. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.