Imzot Eteroviç për Lineamentat: Kisha është e thirrur ta rigjallërojë misionin e vet
e t’i zgjërojë horizontet.
(04.03.2011 RV)U paraqitën, pra, sot, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Lineamentat
për Asamblenë XIII sinodale mbi ungjillëzimin e ri. Gjatë paraqitjes, folën edhe imzot
Nikola Eteroviç, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve si dhe zëvendës-sekretari
i dikasterit, imzot Fortunato Freza.
Të krishterët janë të thirrur edhe sot,
t’ia përcjellin botës arsyen e shpresës, që kanë në shpirt: këtë nënvizoi imzot Eteroviç,
i cili e vuri theksin mbi sfidat dhe mundësitë që ka ungjillëzimi i ri. Prelati ripohoi
posaçërisht se kumtimi i Ungjillit ka të bëjë me vetë natyrën e Kishës. Pa të, Kisha
nuk mund të kuptohet: “Mbarë Kisha është misionare për vetë natyrën e saj.
Ajo ekziston për të ungjillëzuar. Për ta kryer në mënyrë sa më të përshtatshme këtë
detyrë, Kisha niset në radhë të parë nga ungjillëzimi i vetvetes. Ajo e di se nuk
është thjesht ungjillëzuese, por edhe fryt i ungjillëzimit, e bindur se aktori kryesor
është Zoti, që i prin në shtigjet e historisë, përmes Shpirtit të Birit të tij të
vetëm, Jezu Krishtit”.Kisha, shtoi prelati, është e thirrur ta rigjallërojë
mandatin e saj ungjillëzues, posaçërisht përballë ndryshimeve të stuhishme të botës
bashkëkohore. E ripohoi se është e thirrur edhe t’i zgjërojë horizontet e veta,
duke e dëshmuar Ungjillin si në sferën private, ashtu edhe në atë publike, si në gjirin
e bashkësive të krishtera, ashtu edhe të të gjithë shoqërisë bashkëkohore, për t’i
përcjellë mbarë njerëzimit, gjithnjë më shpesh shpresëhumbur, dhuratën e shpresës
së krishterë.