(04.03.2011 RV)Sot paradite Benedikti XVI priti në Pallatin Apostolik të Vatikanit,
presidentin e Islandës, Olafur Ragnar Grimsson, që më pas u takua edhe me Sekretarin
e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone dhe me sekretarin për
marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mambertì. “Gjatë bisedimeve të përzemërta
– njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – u theksuan në mënyrë të
posaçme marrëdhëniet miqësore ndërmjet Selisë Apostolike dhe Islandës, simboli më
shprehës i të cilave është figura e Gudridur Thorbjarnardottir, pioniere e fesë së
krishterë në Ishull. Prandaj kryetari i shtetit islandez i dhuroi Papës pikërisht
figurën e saj, skalitur me art. Shtatorja u punua në kujtim të shtegtimit të Gudridurit
në Romë, pak pas vitit 1000, kur u takua edhe me pasardhësin e Shën Pjetrit. Gjatë
audiencës u nënvizua nderimi, që gëzon bashkësia e vogël e krishterë në vend, si dhe
kontributi me vlerë, që i jep shoqërisë islandeze, me nismat e veta në fushën edukative
e shoqërore, në mënyrë të posaçme, në rrethanat e sotme ekonomike. U thelluan, më
pas, tema me interes të përbashkët në nivel kombëtar e ndërkombëtar, me vëmendjen
tek roli i vlerave tradicionale në ndërtimin e kombit dhe tek kontributi i Islandës
në promovimin e paqes, të bashkëjetesës së harmonishme të bashkësive të ndryshme e
në mbrojtjen e ambientit.