2011-03-02 13:28:02

Vritet Ministri i krishterë në Pakistan. Mbronte pakicat fetare dhe nxiste dialogun


(02.03.2011 RV)U vra sot në Islamabad ministri për Pakicat Fetare, Shahbaz Bati. Katolik, 42 vjeçar, Bati luftoi gjithnjë për dialogun ndërmjet etnive dhe feve, duke nxitur debatin mbi rishikimin e ligjit të blasfemisë e duke mbrojtur Asia Bibin, gruan e krishterë, të dënuar me vdekje pikërisht për blasfemi. Muajve të fundit, Bati qe kërcënuar shpesh, por pati deklaruar: “E di se mund të më vrasin, nëse vazhdoj betejën, por nuk kam frikë”.RealAudioMP3
Atentati u krye nga një grup njerëzish të maskuar, që e nxorrën nga makina, me të cilën udhëtonte, dhe hapën zjarr kundër ministrit për 2 minuta. Bati nuk kishte asnjë nga rojet me vete. U transportua menjëherë në spital, por ishte tepër vonë. Terroristët lanë në vendin e atentatit, një letër me këtë shënim: “Tehrik-e-Taliban Pakistan merr përsipër vrasjen e Batit, sepse ai ka folur kundër ligjit mbi blasfeminë”. “Tehrik-e-Taliban Pakistan” është një organizatë, ku bëjnë pjesë grupe të shumta militantësh islamikë.
Shahbaz Bati u konfirmua në detyrën e ministrit për Pakicat Fetare edhe pas ndryshimeve të fundit në qeverinë pakistaneze. I përkiste Partisë Progresiste në pushtet. Jo më larg se më 5 janar, Radio Vatikani e pati intervistuar, menjëherë pas vrasjes së guvernatorit të Panxhabit, Salman Taseer, i cili qe - edhe ai - për ndryshimin e ligjit mbi blasfeminë. Ta dëgjojmë sërish:
Mendoj se vrasja e guvernatorit të Panxhabit mund të zgjojë frikë ndër ata njerëz, që ngrihen në favor të së vërtetës, kundër ekstremizmave, kundër intolerancës, kundër dhunës e kundër ligjit mbi blasfeminë. Por besoj se kjo nuk mund të na ndalojë ta ngremë zërin për drejtësinë e për mbrojtjen e pakicave e të njerëzve të pafajshëm të Pakistanit.
Duke pasur parasysh atmosferën politike, a është i mundur shfuqizimi i ligjit mbi blasfeminë?
Mendoj se është e vështirë, por kjo vrasje nga ana e fanatikëve shpresoj t’u japë njerëzve të kuptojnë se përdorimi i keq i ligjit mbi blasfeminë mund ta çojë popullin drejt dhunës. Prandaj, ky ligj duhet të rishikohet e të rishqyrtohet për të shmangur përdorimin e keq. Por, nga ana tjetër, ekstremistët fetarë po e thonë qartë se nuk do të lejojnë asnjë ndryshim.
Më 12 shtatorin e kaluar, Benedikti XVI e priti ministrin pakistanez Bati në Kastel Gandolfo. Ja ç’tha atëherë në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Mendoj se të ndryshosh mendjet e zemrat e njerëzve është me e rëndësishme se gjithçka, prandaj ne kemi filluar një fushatë dialogu ndërfetar për ta arritur këtë objektiv. Po bëjmë ç’është e mundur, që njerëzit, të cilët gënjehen nga terroristët e grupet e militantëve islamikë, të kthejnë sytë e të punojnë për harmoninë e paqen. Po përpiqemi t’i bashkojmë njerëzit me fe të ndryshme, që të veprojnë me solidaritet e unitet për të fituar mbi elementët ekstremistë. Kemi rezultate të mira, por rruga është e gjatë.
Presidenti dhe kryeministri pakistanez dënuan ashpër vrasjen e ministrit Shahbaz Bati dhe deklaruan se akte të tilla nuk do ta ndalin luftën e qeverisë kundër terrorizmit dhe esktremizmit. Ngushëllime e solidaritet vazhdojnë të shprehen nga gjithë kancelaritë botërore e, edhe nga organizmat e Kishës Katolike. Ipeshkvijtë e vendit u kërkojnë autoriteteve t’i japin fund atmosferës së intolerancës e të dhunës. Bashkësia e Shën Egjidit shpreh dhimbjen, duke e quajtur ministrin Bati “njëri nga ne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.