Në faqen e sotme të kalendarit lexojmë edhe emrin e Shën Anxhelës së Kryqit.
(02.03.2011 RV)“Të bëhesh i varfër me të varfërin, për t’i çuar Krishtin”.
Kjo ishte motoja e Shën Anxhelës së Kryqit dhe e Kongregatës së Motrave të Shoqërisë
së Kryqit, themeluar prej saj. E lindur në Sevilje, në vitin 1846, bijë e familjes
së thjeshtë, por shumë të përshpirtshme, Guerrero Gonzales, u pagëzua me emrin Maria.
12 vjeçe nisi punën në një punishte këpucësh, për të ndihmuar familjen. Pothuajse
gjithë kohën e lirë e kalonte në lutje e një ditë, gjatë lutjeve të zakonshme, pa
Krishtin në kryq e, pranë tij, një kryq tjetër, bosh. E kuptoi se ishte kryqi i saj.
Kërkoi, atëherë, të gozhdohej në të, duke hyrë në kuvendin e karmelitaneve. Por iu
desh të largohej prej aty, për arsye shëndetësore. U rikthye në shtëpi, ku filloi
të shkruajë ditarin e saj, në të cilin nis të duket fizionomia e kongregatës kushtuar
dashurisë së krishterë, posaçërisht për të sëmurët. Kongregata lindi në vitin 1875.
E miratuar nga Selia e Shenjtë në vitin 1904, pati një ndikim të jashtëzakonshëm në
shoqërinë spanjolle të kohës. Me emrin rregulltar Anxhela e Kryqit, Nëna themeluese
u bë e njohur edhe me një emër tjetër: “Nëna e të varfërve” të Siviljes, qytet ku
mbylli sytë për dritën e kësaj bote në moshën 86 vjeçare, më 2 mars 1932. Gjon Pali
II e lumnoi në Sivilje, në vitin 1982 dhe e shenjtëroi në Madrid, në vitin 2003.