Muzetë e Vatikanit: vizita të reja didaktike për të kapërcyer kufizimet fizike.
(02.03.2011 RV)Të njohësh artin në mënyrë aktive e krijuese, duke i kapërcyer
pengesat, që krijohen nga aftësitë e kufizuara fizike. Ky është synimi i vizitave
të reja didaktike në Muzetë e Vatikanit, paraqitur dje në Romë. Posaçërisht novatore,
nisma që do t’u krijojë të verbërve mundësinë të shijojnë disa vepra arti, përmes
shqisave të tjera dhe laboratoreve didaktike, me karakter shkollor. Maria Serlupi
Kreshenci, drejtuese e veprimtarive didaktike të Muzeve, shprehet kështu, në mikrofonin
tonë, për këtë nismë: Përgjigje: - Shkolla është mjedisi kryesor
për formimin e qytetarit. Pierr Burdië thoshte, me të drejtë, se njeriu i rritur nuk
do të hyjë kurrë në një muze, në se nuk e ka bërë këtë së paku një herë, kur ishte
ende i mitur. Prandaj hapi i parë është forcimi i lidhjes me shkollën, për të krijuar
projekte didaktike të afërme me programet, që zhvillohen në klasë. Kështu i shtuam
vizitës së udhëhequr, asaj “frontale”, që i ka kaluar disi koha, mundësinë e pasurimit
me një sërë veprimtarish krijuese, që e ngulisin më mirë në kujtesë vizitën në muze.
Nuk kemi të bëjmë më vetëm me nxënësin që dëgjon mësuesin, por me nxënësin, që merr
pjesë gjallërisht në vizitë, për të shijuar me të gjitha shqisat e mundshme, kryeveprat
e artit.