2011-03-02 16:02:40

Gedafi në Libi: do të luftojmë deri në fund


(02.03.2011 RV)“Do të luftojmë për Libinë deri në burrin e në gruan e fundit”: kështu foli sot kreu i Tripolit, Muamar Gedafi në televizion, duke ia vënë fajin për gjithçka Al Kaidës, pak orë pas fillimit të kundërofensivës ushtarake drejt lindjes. Trupat besnike të regjimit arritën të rimarrin në dorë portin dhe aeroportin e Marsa Bregës, pikë naftëmbajtëse 800 km në lindje të kryeqytetit. Ndërkaq, rritet shqetësimi për emergjencën humanitare, sidomos në kufirin Tunizi-Libi.
E ardhmja e Libisë është në duart e popullit të saj, tha sot Gedafi në televizion, duke theksuar se ai nuk është president, as ka ndonjë rol politik në vend, pasi autoriteti është në duart e njerëzve, që e ushtrojnë atë përmes komiteteve popullore. Rasti i fjalimit të liderit të Libisë qe pikërisht 34-vjetori i themelimit të komiteteve popullore, një lloj celule partie e mirënjohur gjatë komunizmit shqiptar, që këtu, merr edhe aspekte klani e fisi.
Gedafi nënvizoi se protestuesit nuk janë njerëz të popullit, por terroristë e madje kërkoi nga OKB-ja një komision hetimor për verifikim. Gjithashtu raisi i Libisë pretendon se nuk ka dhënë urdhër të qëllohet kundër manifestuesve paqësorë. Përsa i përket kundërofensivës, Gedafi i këndon fitores, ndërsa rebelët deklarojnë se e kanë thyer sulmin. Është e pamundur të kontaktohen burime të pavarura e qyteti i ka dyert e mbyllura për gazetarët. Sipas televizionit Al-Arabiya, trupat qeveritare kanë rimarrë nën kontroll edhe Garjanin e Sabratën, në jug e në perëndim të Tripolit, dhe kanë bombarduar Ajxhabijahun. Lidhja Arabe u shpreh sot kategorikisht kundër ndërhyrjes ushtarake nga jashtë. Megjithatë, dy anije lufte amerikane janë vendosur para Libisë në Detin Mesdhe.
Në kufirin Libi-Tunizi një radhë e gjatë, kilometra e kilometra me njerëz, që shtyhen për t’u larguar nga lufta. OKB-ja kërkon të merren me qera avionë për transportimin e tyre. Ka filluar ndërkaq, misioni humanitar italian në anën tuniziane të kufirit, ku ndodhet gazetarja Barbara Skiavuli, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Ka mijëra vetë ngjeshur përtej kufirit, në anën libiane, që akoma nuk mund të hyjnë. Nga kjo anë, kemi 75 mijë vetë, të strehuar nëpër shkolla, në tenda e ndokush në rrugë fle mbi valixhet e veta. Nga ana libiane problemi po bëhet vërtet serioz, pasi këta njerëz nuk kanë ngrënë prej ditësh. E nuk kanë as asistencë mjekësore, sepse policët nuk lenë të kalojnë as mjekët e organizatave humanitare. Sot paradite, “Mjekët pa kufi” po përpiqeshin të kalonin të paktën ilaçet.








All the contents on this site are copyrighted ©.