2011-03-01 16:20:09

Vuajtjet e të krishterëve të diskriminuar në Irak: imzot Kazmusa kërkon të vazhdohet dialogu me myslimanët


(01.03.2011 RV)“Pakica e krishterë në Irak është pre e lehtë për çdo lloj persekutimi”: kështu denoncon kryeipeshkvi siro-katolik i Mosulit, imzot Xhorxh Kazmusa, i cili thekson se të krishterët detyrohen të kthehen në Islam me forcë, pasi u mbyllin dyqanet dhe u japin myslimanëve terrenet e tyre. E në kontekstin e protestës aktuale në vendet arabe, sëbashku me shpresën për më shumë demokraci, zgjohet edhe frika për infiltrime integraliste. Megjithatë, prelati, që vetëm disa vjet më parë e ka përjetuar në lëkurën e vet dramën e rrëmbimit nga fondamentalistët, nuk lodhet së përsërituri: “Dialogu ndërfetar me miqtë myslimanë është i domosdoshëm për të ndërtuar një Irak modern, ku mbretëron ligji”. Në mikrofonin tonë, imzot Kazmusa kujton se gjatë shekujve të kaluar, pavarësisht nga divergjencat kulturore, të krishterë e myslimanë kanë bashkëjetuar paqësisht:
Ky është fakt historik, por do të dëshironim që të ishte edhe për shkak të bindjes. Do të dëshironim të ishte projekt për jetën, në mënyrë që secili ta ndjejë veten plotësisht qytetar, me të gjitha të drejtat. Nëse vendi ynë vazhdon rrugën e dialogut, të gjithë do të fitojmë.
Të krishterët janë pakicë në Irak e nuk marrin pjesë në qeverisjen e vendit. Gjithashtu, ekzistojnë shumë paragjykime për ta…
Po vërtet, të krishterëve u refuzohen funksione publike e kur ata vetë e panë se nuk mund t’u afroheshin këtyre posteve, u detyruan të fillojnë punë private e të bëhen profesionistë. Ne duam që këto paragjykime të mos ekzistojnë, por njerëzit të zgjidhen sipas meritës. Kështu, çdo qytetar e ndjen se merr pjesë në shoqërinë, së cilës i përket.
Të krishterët konsiderohen si kryqtarët e Mesjetës, ose si ata, që njerëzit i quajnë “pushtuesit perëndimorë” të shekullit XXI…
Po, ashtu është. Ne ishim të krishterë, por kjo nuk do të thotë se ishim me kryqtarët, megjithëse edhe ata ishin të krishterë. Unë nuk mund të akuzoj një qytetar irakian, një mysliman irakian se është, për shembull, pro iranian ose pro tunizian, ose diçka tjetër vetëm e vetëm se është mysliman, pra për shkak të fesë së tij.
Ju e keni provuar vetë se ç’do të thotë të jesh peng i fondamentalistëve e megjithatë, nuk lodheni së thëni se dialogu është zgjidhja e vetme…
Kështu është. Unë inkurajoj intelektualët e moderuar ta ndërtojnë këtë vend demokratik, që ëndërrojnë: vetëm në këtë mënyrë do të kemi të njëjtat mundësi e mjete të barabarta.







All the contents on this site are copyrighted ©.