Shqipëri: Sipas Edi Rama PS nuk i bojkoton zgjedhjet lokale
Kryetari i PS, Edi Rama, në një deklaratë për media përsërit qëndrimin e tij se zgjidhja
e krizës politike në Shqipëri vjen me largimin e kryeministrit Berisha, e se opozita
nuk bojkoton zgjedhjet lokale. "Siç e kam nënvizuar në kontaktet me miqtë e Shqipërisë,
ri nënvizoj se bojkoti i zgjedhjeve vendore nga opozita është një ëndërr që Saliu,
Iliri dhe kusarët e shohin prej kohësh, por që nuk do të bëhet realitet", është shpreh
Rama. Megjithatë, lideri i opozitës së Shqipërisë theksoi se për mbajtjen e tyre
duhen kushte të reja, që të mund të garantohet vota e lirë. "Zgjedhjet në këto kushte
nuk mund të zhvillohen dhe ne kemi nënvizuar vullnetin tonë për t'i ndryshuar këto
kushte, pa të cilat nuk mund të ketë zgjedhje jo vetëm më të mira se ato të fundit,
por as si ato", pohoi Rama. Ai deklaroi se PS do të vazhdojë betejën e saj kundër
qeverisë, në mënyrë që sipas tij, të çlirohet vendi nga regjimi i politikës së vjetër
që po grabit shqiptarët. "Nuk ka asnjë dyshim se ne do vazhdojmë rrugën e ballafaqimit
frontal, ku mund të marrë jetë beteja për fitoren e kësaj kauze të demokracisë dhe
drejtësisë, pa të cilën nuk mund të ketë një rivendosje në rrugën e duhur të ekonomisë
së vendit. Ky ballafaqim do vazhdojë me këmbëngulje dhe intensitet në rritje dhe po
ashtu edhe demonstratat do vazhdojnë dhe do të intensifikohen", nënvizon Rama.