2011-02-28 18:19:47

Protesta në Oman e në Jemen. Egjipti pengon largimin e Mubarakut


(28.02.2011 RV)Shtrihet edhe më tej vala e protestave, që po përshkon botën arabe. Rritet tensioni sidomos në Oman, ku sot janë zhvilluar manifestime të reja, pas atyre të djeshme, që u shuan me zjarr nga ana e forcave të rendit. Nuk dihet me saktësi numri i viktimave, gjashtë sipas burimeve spitalore. Protestuesit kërkojnë reforma, punë dhe ngritje rrogash.
E njëjta gjendje edhe në Jemen. Në kryeqytetin Sanaà e në qytete të tjera, manifestuesit hedhin parrulla për rënien e “diktatorit”. Opozita refuzoi ftesën e presidentit Saleh për të formuar një qeveri të bashkimit kombëtar.
Ndërkaq, rriten shpresat për dialog në Bahrein. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Barak Obama përgëzoi mbretin Al Khalifa, i cili kërkoi ndryshimin e qeverisë. Në Egjipt, prokuroria e Kairos vendosi të ndalojë largimin e ish-presidentit Mubarak dhe të familjes së tij jashtë vendit. Janë bllokuar gjithashtu të gjitha llogaritë sekrete dhe pjesa tjetër e pasurisë së tij. Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Amr Musa akoma nuk ka sqaruar nëse do të paraqesë kandidaturën për president.
Në Tunizi, dita e parë e punës për kryeministrin e ri Sebsi, i cili u emërua dje. Ndër përparësitë, zgjedhjet e reja e problemi i refugjatëve nga Libia. E ndërsa Sebsi lavdërohet nga Bashkimi Evropian, numri 2 i Al Kaidës , al-Zauahiri kritikoi ashpër krerët e rinj të Tunizisë dhe të Egjiptit, duke i ftuar myslimanët të ngrihen “kundër pushtuesve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.