Në Tiranë dëshmi të persekutimit komunist në një fotoekspozitë
Fotoekspozita “Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën” vazhdon të zgjojë interesin
e qytetarëve për të parë momentet kulmore të rezistencës antikomuniste në Shqipëri
dhe persekutimin barbar nga regjimi diktatorial i kohës. Zyra e shtypit e Presidencës
bën të ditur se në pesë ditët kur ka qëndruar e hapur në mjediset e sallës “Skënderbeu”
në Presidencë, fotoekspozita është vizituar nga qytetarë të ndryshëm. Fotot janë parë
nga studentë, studiues, përfaqësues të Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara për Torturën
me qendër në Gjenevë, pedagogë dhe familjarë të 22 të viktimave të masakrës së
regjimit komunist, të cilët u arrestuan e më pas u pushkatuan pa gjyq për motive politike
pas bombës së hedhur në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë më 26 shkurt 1951.
Vizitorët
janë njohur me foto e dokumente autentike, si dëshmi konkrete e rezistencës dhe qëndresës
së shqiptarëve, të elitës nacionaliste e intelektuale të shkolluar në Evropë, si dhe
eliminimin sistematik të tyre për gjysmë shekulli me një genocid të pastër.
Dokumentet
ilustruese përshkruajnë gjithë genocidin e kryer nga diktatura komuniste në Shqipëri,
që nga Kryengritja e parë antikomuniste në Evropë (ajo e Postribës më 9 shtator
1946), kryengritja e Burrelit (2 gusht 1967) apo ajo e Spaçit (21 maj 1973). Në foto
tregohen torturat çnjerëzore, internimet, vrasjet e pushkatimet pa gjyq të intelektualëve
e klerikëve më në zë të kohës, ekzekutimet më të fundit nga regjimi diktatorial, i
dy poetëve nga Librazhdi, Genc Leka e Vilson Blloshmi, apo varja me litar në vitin
1988 e poetit të talentuar nga Kukësi, Havzi Nela.
Këto akte të ish-të përndjekurve
politikë konsiderohen prej tyre si frymëzim për lëvizjet mbarëkombëtare që nisën në
Shkodër më 13 janar 1990 me rrëzimin e bustit të Stalinit, e duke kulmuar me Lëvizjen
Studentore të Dhjetorit 1990, që solli ndryshimin e shumëpritur të sistemit pas gjakut
e sakrificave të pashembullta të 6214 burrave e grave, 36 mijë të burgosurve e 50
mijë familjeve të internuara.
Fotoekspozita “Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën”
u çel nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në ambientet e Presidencës
më 21 janar, në 20-vjetorin e rrëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Ajo u
realizua me mbështetjen e KE-së dhe Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të Traumës
dhe Torturës.