2011-02-28 15:37:04

Në Engjëllin e Tënzot, Papa kujton se nuk mund t’u shërbehet dy zotërinjve: Zotit e pasurisë!


Njeriu nuk mund të jetë njëherësh shërbëtor i dy zotërinjve. Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot u kërkon të krishterëve të kenë besim në Provaninë hyjnore e të jetojnë thjesht, duke respektuar Krijesën.
Besim të pakushtëzuar në Zotin: t’i lëmë në dorë të Tij ankthet e vështirësitë, shqetësimet e tronditjet, të sotmen e të ardhmen. Kjo ftesë e Benediktit XVI frymëzohej nga fjalët e Izaisë Profet në liturgjinë e së dielës dhe nga Ungjilli i Shën Mateut, në të cilin Jezusi i nxit dishepujt e tij të mos shqetësohen për ato sende, që i kërkojnë aq shumë paganët; të mos rrinë duke pyetur: “Ç’do të hamë? Ç’do të pimë? Çdo të veshim e ç’do të mbathim?". Pyetje të panevojshme. Ndjekësi i Krishtit duhet t’ia besojë gjithë vetveten Atit qiellor, sepse Ai i lumi i njeh mirë nevojat e secilit. Këto fjalë të Jezusit – shpjegoi Papa - mund të duken krejt të shkëputura nga realiteti i përditshëm i jetës, madje ndokujt mund t’i tingëllojnë edhe si përpjekje për të dredhuar, përballë mjerimit të një pjese të mirë të njerëzmit, në të gjitha kohët:
“Në të vërtetë, Zoti dëshiron të na sqarojë se njeriu nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve: Zotit e pasurisë. Kush beson në Zotin, në Atin plot dashuri për bijtë, vë në plan të parë Mbretërinë e tij, vullnetin e Tij”.
Por, kujdes – tërhoqi vëmendjen Ati i Shenjtë – kjo nuk pajtohet me fatalizmin e as me largimin foshnjarak nga lufta e përhershme e njeriut për jetën, për drejtësinë, për të vërtetën:
“Besimi në Provaninë, nuk e largon njeriun nga lufta për jetë dinjitoze, por e çliron nga ankthi për sendet e përditshme e, sidomos, nga frika e së nesërmes”.
Është e qartë se ky mësim i Jezusit – shtoi Benedikti XVI – ndonëse mbetet përherë me vlerë për të gjithë, praktikohet në mënyra të ndryshme e sipas thirrjeve të ndryshme:
“ … një rregulltar françeskan mund ta ndjekë në mënyrë më rrënjësore, ndërsa një atë familjeje duhet t’i ketë mirë parasysh detyrimet ndaj gruas e fëmijëve. Gjithsesi, në çdo rast, i krishteri dallohet për besimin e pacak tek Ati qiellor, në dorë të të cilit e lëshon gjithë vetveten, ashtu si Jezusi”.
E pikërisht lidhja me Hyjin Atë - shpjegoi Papa – i jep kuptim gjithë jetës së Krishtit: fjalëve, gjesteve të shëlbimit e deri mundimeve, vdekjes e ringjalljes së Tij:
“Jezusi na tregoi ç’do të thotë të jetosh me këmbët ngulur mirë në tokë, plot vëmendje për shqetësimet konkrete të të afërmit, e njëkohësisht, me zemrën e lartuar drejt qiellit, duke e lënë plotësisht fatin në duart e Mëshirës hyjnore”.
Në përfundim të lutjes, Papa ia besoi Nënës së Provanisë hyjnore jetët tona, rrugën e Kishës, rrjedhën e historisë:
“Në mënyrë të posaçme, i lutemi të ndërmjetësojë që të gjithë të mësohemi të jetojmë sipas një stili më të thjeshtë e më të përkorë, duke punuar ditë për ditë e duke respektuar Gjithësinë, të cilën Zoti na e besoi, që ta ruajmë”.

Pas Lutjes mariane, Papa përshëndeti besimtarët mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në gjuhë të ndryshme të botës. Një përshëndetje e veçantë, një grupi shtegtarësh ardhur në Shesh me rastin e Ditës Botërore të sëmundjeve të rralla. Papa i siguroi se do të lutet në mënyrë të veçantë për njerëzit që i pësojnë e edhe për ata, që merren me kërkime shkencore në këtë fushë. Kjo Ditë u kremtua sot, me parrullën: “Të rralla, por gjithsesi, sëmundje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.