2011-02-28 14:43:16

Kryeministri Berisha takon Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Marc Perrin De Brichambaut


"Kushtetuta dhe ligjet e vendit garantojnë standardet më të larta demokratike dhe zbatimi i tyre në mënyrë të përpiktë nga të gjithë aktorët, është një garanci jo vetëm për demokracinë në përgjithësi, por edhe për opozitën në veçanti", tha sot Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Marc Perrin De Brichambaut.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, gjatë takimit, Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin shumëvjeçar të Organizatës dhe të Prezencës së saj në Tiranë, në demokratizimin e Shqipërisë dhe rolin e saj në fusha themelore të këtij demokratizimi, si një histori suksesi.
Kryeministri vlerësoi mbi të gjitha rolin e padiskutueshëm të Organizatës dhe institucioneve të saj, si ODIHR dhe Prezenca në Shqipëri në progresin e pandalshëm të standardeve të procesit zgjedhor përmes kontributit të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe praktikave të mira.
Gjatë takimit, Berisha u ndal edhe te zhvillimet e fundit pas përpjekjes së dhunshme të opozitës në 21 janar, për përmbysjen e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike. Kryeministri theksoi qëndrimin e tij të palëkundur dhe koherent të shprehur që pas sulmit mbi selinë e Kryeministrisë, që një hetim profesional, gjithëpërfshirës, i paanshëm dhe i besueshëm, është themelor për kapërcimin e situatës së krijuar nga sjellja anti-sistem e lidershipit të opozitës.
Kryeministri theksoi se ai dhe maxhoranca janë të palëkundur për të mbrojtur dhe respektuar në të njëjtin nivel të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, si garanci efektive për këto të drejta.
Ai shprehu shqetësimin se "ky hetim nuk po përfshin të gjithë aktorët e 21 Janarit, mbi të gjitha aktorët që projektuan tentativën për përmbysjen anti- kushtetuese të organeve të zgjedhura me votë".
"Mbas më shumë se 1 muaj hetim, Prokurorja e Përgjithshme me nxjerrjen e vazhdueshme në media të dokumenteve të procesit hetimor po dëmton në mënyrë të rëndë jo vetëm profesionalizmin, por dhe mundësinë për një hetim të plotë e të paanshëm", tha Berisha.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së ndau të njëjtin mendim me kryeministrin në lidhje me rëndësinë e një hetimi të paanshëm, gjithëpërfshirës dhe në kohë.
Ai vlerësoi kontributin e Shqipërisë në organizatë dhe vuri në pah një seri projektesh të përbashkëta të rëndësishme, të cilat i vlerësoi si arritje të mëdha të qeverisë shqiptare.
Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm Brichambaut shprehu dëshirën që procesi për marrjen e kryesimit të radhës të OSBE-së nga Shqipëria të përmbyllet sa më parë.
Në takim, Kryeministri u ndal tek reformat e qeverisë shqiptare që nga viti 2005 për mirëqeverisjen e vendit duke rritur transparencën dhe efikasitetin e qeverisjes. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit është prioritet dhe një sfidë të cilën maxhoranca do ta fitojë.
Ai vlerësoi lart punën e njësisë së përbashkët hetimore të udhëhequr nga Prokuroria në goditjen e korrupsionit, por theksoi se "asimetria në goditjen e tij, duke mos penalizuar korrupsionin e qeverisë socialiste apo të të zgjedhurve të saj vendor si dhe duke mbyllur mbi 40 çështje të ngritura ndaj Kryetarit të Bashkisë dhe liderit të opozitës, është një politikë penale, e cila dëmton efikasitetin dhe besueshmërinë e luftës ndaj korrupsionit".
Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e zgjedhjeve lokale të 8 Majit. Sekretari i Përgjithshëm Brichambau tha se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe se këto zgjedhje duhet të mbahen në afatin e tyre kushtetues.
Ai rikonfirmoi mbështetjen e plotë të kryesisë së radhës së OSBE-së për këtë çështje, si dhe shprehu gatishmërinë e Organizatës për të kontribuar nëpërmjet ekspertizës dhe vëzhgimit që zgjedhjet e 8 majit të ruajnë standardet e larta të konstatuara nga ODIHR dhe t'i çojnë ato më tej.
Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha siguroi angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të garantuar një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së.
Duke falënderuar për dërgimin e misionit të vëzhgimit, ai u shpreh në favor të dhënies së hapësirave maksimale për vëzhguesit ndërkombëtarë, si një mënyrë për të kontribuar në transparencën dhe në cilësinë e zgjedhjeve.
Kreu i Qeverisë shprehu gjithashtu mbështetjen e plotë për rekomandimin e parë të raportit të OSBE/ODIHR ku kërkohet kontributi i qenësishëm nga çdo forcë politike, përfshirë dhe opozitën, në mbajtjen dhe rritjen e këtyre standardeve. Në përfundim, Kryeministri siguroi Sekretarin Brichambaut për angazhimin e tij që Shqipëria të mbetet një demokraci funksionale dhe shtet i së drejtës.







All the contents on this site are copyrighted ©.