2011-02-28 15:37:48

Atë Gjergj Fishta: “Hyj’t ndezia qirin...”


Nga satira “Nakdomenicopedia”; pjesa II.O bir i Adamit,
A do me gzue
Sá t’jésh mbi shekull
Ti tue jetue?

Ti ké me mbajtun
Gjithmonë ketë rregull :
Erzin e shpirtin
Do t’losish shrregull.

Do t’shesish vllazent,
Do t’mohojsh fisin,
Sá herë qi n’shekull
T’a leverdisin.

Gjithmonë perkulu
Kah t’bjen mâ mirë:
Persè t’a marrish
Veten me t’vshtirë?

Prandej ti rueju
Se thue t’verteten,
N’daç t’xét m’e pasun
Gjithmonë kuleten.

Mundou me u dukun
Gjithmonë shka s’je:
Mâ mirë se duka
S’âsht gjâ m’ketë dhé.

T’nanddhetenandtat
Ti n’terr n’daç bâni,
Por para shekllit
Mos t’dale zâni.

Prandej kurr qafen
Mos e drejto,
Gjithmonë germuqas
Pak gjâ ti shko:

Pse kshtû i pervûjtun
Ti ke me u dukun,
E t’mdhajt nen sjetull
Tý kanë me t’strukun.

Kurr sŷ per sŷ
Mos kqyr ti njerin.
Pse ndryshej t’zêmres
T’a kndojn tefterin.

Kurr mos bân llafe
Kur t’jeshë n’shoqni:
Mâ e zezë âsht llafja
Se nji turpni.

Mâ e zezë, po, â’ llafja
e thânë pá sherr,
Se nji turpni
E kryeme n’terr.

Hodum do t’dukesh
Perpara shekllit,
Sepsè ti msheftas
T’bâjsh punët e mrekllit.

Kqyrse t’rrên mendja
Me thânë ndo i fjalë,
qi t’perkasë fisin
Prej kah ké dalë.

Kush don me shkue
Limuet mbi tokë
Aj s’do t’két vllazen,
As fis, as shokë.

Me t’pvetë ndokushi
Se ç’fisi jé,
Thuej, fis e atme
Na s’kem mbi dhé...

Ne daç me t’shkue
Kunglli mbi ujë,
Gjithmonë do t’flasish
Ti n’gjuhë të hu’jë.

Si shtupë ti mrrudhu
Perpara t’mdhejvet,
Dridhu si qêni
Nen cirka t’hejvet.

T’u rrish perpara
Me turi dashit,
N’t’u kandët tý shkopi
I koçobashit…

Sá herë t’i ndeshish
Bân me u puthë kamen,
Prrallave t’tyne
Pergjegju: Amen!

Me lavd tymyti
Kryq e terthuer,
Pse tash t’qet tymi
T’pjekmen dikuer…

Mundohu sa t’mundesh
Me hupë ti veten,
N’daç t’xét m’e pasun
Gjithmonë kuleten.

Prandej mos t’lodhesh
Me u zbé nder kndime,
Persè tý dija
T’pertrin ankime.

Mjaft âsht per tý
qi t’dijsh me kndue,
Edhè ndo’i leter
Si do m’e shkrue;

Pse per mâ teper
Nuk âsht nevoja:
Mâ fort se mendja
Do t’lodhet goja…

Kur duerët me i njomun
Ti munde t’dyja,
Ani se t’rrije
Mbas shpinës arsyja.

Per Zot e mbreten
Mos bân shum fjalë
Pse, m’beso mue,
Mirë ka me t’dalë.

Hyj’t ndezia qirin,
O i biri i Adamit,
Ndezia edhè Djallit
Nji tjeter vjamit…

Me kto msime sado t’vokrra
Nuk jam rrêjtë me fjalë e dokrra,
Porsi rrêhet pula n’kokrra;
Por kam ngranë, e por kam pi,
Kam ndêjë pshtetun si zotni,
Tu’u dá gjygjin shokvet t’mi.

Tue mbajtë ket rregull
Un hypa m’shrregull
(Po thom per vedi)
E jam tue kndue
Pa fé kujdesit,
Edhè kam shkue
Si duhet jeten,
E xét kam pasun
Gjithmonë kuleten,
E pa u perplasun
Un baft kam hasun.
E dij fort mirë,
kjo jetë â e vshtirë:
Â’ ’i dét i mnershem
Me guma plot;
Por mbrendë, veç, mbytet
Njaj qi s’din not,
Qi hyllin arit
S’ndjekë t’leverdis,
Por kqyrë mâ s’parit
Punët e njerzis,
e jo t’dobis.
Un sod u plaka;
Por kurr nafaka
Dér m’ditë të sodit
Mue nuk m’ká lanun.
Edhè kam pasun
Gjithmonë me ngranun:
Jam mâjë si njala
E, si kam dashtun,
M’ka hecun fjala:
Jam kenë i drashtun ,
Sepsè i padashtun.
Persè kam dijtun
N’shekull me vijtun,
E nuk kam ndêjun,
Tue rrue kot voe,
Erzin e shpirtin
Tue i vû n’oroe;
Por, tue luejtë shrregull
Krahas me djallë,
U vûna m’rregull
E sod jam gjallë
Tue bâmun pallë.
Pse, pra, t’pves tý,
Tue pasë mendt n’krý,
Pa punë t’a marrish
Veten me t’keq?
Lumnija e erzi
S’janë gjâ, hae dreq;
Erzi e lumnija
(Ndiej, se t’verteta
Janë fjalët e mija),
Kù s’lot kuleta,
Janë dý fjalë t’shkreta.
Sá njerz t’permendun
Janë kalamendun
Prej ûs e skamit
E kanë mbarue
Pa pasë as vorrin
M’e salikue?
Por vetë, - kqyr seri!-
Qe pa shum dije,
Shndosh si skyfteri,
Jam ndêjë nen hije,
Tue ngranë me shije.
Njeri me leter,
(Âsht shkrolë e vjeter),
Kurr m’breg s’mund t’kapet:
Shekllin e njof!
T’a dijsh, sot njerzit
I kanë trût n’zgrof,
Kush din sot çarkun
Mâ mirë m’e ngrehun
Per me zgjâ barkun,
Aj ka me u njehun
Per mende-prehun.
Kúr barku kodër
T’kersasi loder,
At-herë punët t’gjitha
Hecin per fille,
E per né sheklli
Qet drandofille;
At-herë âsht vllá
Seicilli niri:
Mollë e pa-dá
Â’ i keqi e i miri
E dreqi e i biri.
Vllazen na jemi,
At-herë, pse i kemi
T’tânë nanat grá.
Per kshtû jem’, po
Lazer – e vllazer,
Per ndryshej, jo;
Per ndryshej moter
E vllá njimendit
Mos mbáj kend n’voter,
N’dashtë t’jét i vendit.
N’dashtë i Kelmednit.
Prandej sá t’jésh
Nder mend t’a késh,
Se âsht barku n’shekull
E fis e erz,
Atme e liri,
E Zot per njerz;
E se pa fjalë,
Njeti n’u darësh,
Ti ke me dalë
(Si e dij prej s’parësh)
Së dy gomarësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.