2011-02-28 15:37:20

Aborti: plagë në zemër të njeriut.


“Përballë përhapjes së një kulture, e cila nuk do ta kuptojë më vlerën e jetës, është e nevojshme që mbarë shoqëria të vijojë betejën për mbrojtjen e së drejtës për jetë të fëmijës, që në bark të nënës e edhe të gruas, në mënyrë që në asnjë rrethanë të mos detyrohet të zgjedhë abortin!” Është kjo thirrja e fuqishme e Papës nga Salla Klementine, në Vatikan, të shtunën e kaluar, gjatë audiencës me anëtarët e Akademisë Papnore për Jetën.
Ati i Shenjtë ripohoi me forcë se aborti nuk është rrugëzgjidhje për kapërcimin e vështirësive familjare, ekonomike, shoqërore e as për problemet e shëndetit. Aborti mbetet gjithnjë plagë e rëndë në ndërgjegjen njerëzore. Tematika e sindromës së pas abortit – shpjegoi Papa, duke kujtuar një prej problemeve të diskutuara nga akademikët gjatë punimeve - flet për pasojat e rënda të veprimeve të njeriut, që i kundërvihen detyrës për mbrojtjen e jetës njerëzore. Prej këndej, thirrja për të reflektuar pikërisht mbi ndërgjegjen e baballarëve të fëmijëve, të cilët shpesh herë s’e kanë për gjë t’i lënë vetëm gratë shtatzëna.
Përsa i përket temës së dytë, përdorimit të bankave të kordonit kërthizor për mjekimin e sëmundjeve dhe për kërkime shkencore, Papa inkurajoi të promovohen kërkimet shkencore me vlerë etike, duke uruar që gratë ta dhurojnë gjithnjë më bujarisht gjakun i kordonit kërthizor, menjëherë pas lindjes së fëmijëve. Ndërkaq Papa i shikoi me dyshim bankat private, përhapja e të cilave - vërejti – e dobëson shpirtin e solidaritetit, që duhet të frymëzojë çdo kërkim shkencor”.
Kujtojmë se anëtarët e Akademisë Papnore për Jetën, u takuan me Papën në përfundim të punimeve të Asamblesë së tyre XVII të përgjithshme, mbajtur në Sallën e vjetër të Sinodit, në Vatikan. Gjatë diskutimeve u pohua se Akademia për Jetën mund të quhet edhe “Akademia Papnore për Njeriun”, që ripohon me forcë se njeriu duhet mbrojtur gjatë gjithë jetës, nga lindja, në vdekje, me të gjitha format e mënyrat e mundshme. E një nga këto mënyra është edhe krijimi i bankave të kordonit kërthizor. Prandaj gjatë punimeve të Asamblesë u fol kryesisht për këto banka si dhe për tronditjen fizike e shpirtërore pas abortit. E, së shpejti, do të fillojë punën grupi i tretë i studimit. Do të merret me shterpësinë dhe mjekimet, të cilat ndihmojnë për ta kapërcyer këtë situatë, por jo me teknikat mjekësore e biologjike, që krijojnë kushte për riprodhim jashtë proceseve natyrore.







All the contents on this site are copyrighted ©.