2011-02-26 17:36:41

Nunciatura në Tripoli njofton se të gjithë misionarët do të qëndrojnë në Libi, pranë njerëzve që vuajnë.


Të gjithë klerikët katolikë, që kryejnë misionin e tyre në Libi, shprehën dëshirën të mos largohen nga vendi, por të qëndrojnë pranë njerëzve që vuajnë, ndërsa dendësohet veprimtaria e ndihmës për popullsinë e, sidomos, për të plagosurit. Njoftimin e jep nunciatura apostolike në Libi, përmes një note, dërguar Agjensisë Fides. “Përsa i takon situatës së rëndë, që tronditi këto ditë Libinë - pohohet në notë – bashkësitë rregulltare, me mision në të dy Vikariatet Apostolike të Tripolit e të Bengazit, vijojnë të jenë plotësisht në shërbim të popullsisë e të besimtarëve. Të 16 bashkësitë femërore, të përbëra nga murgesha me kombësi të ndryshme, po japin një ndihmë jashtëzakonisht të çmuar në sektorin shëndetësor, tejet i rëndësishëm këto ditë, kur flitet kaq shumë për njerëz që vuajnë, që ikin nga vatrat, që vriten e plagosen. Të gjithë rregulltarët shprehën dëshirën të vijojnë misionin e tyre në vend, pranë njerëzve që vuajnë. Të njëjtën dëshirë shprehën dy ipeshkvijtë e 15 priftërinjtë, të cilët janë në krye të detyrës, që u është besuar, duke i shërbyer në mënyra të ndryshme popullsisë. Në këtë situatë tejet të vështirë, misionarët, me praninë e tyre, po përpiqen t’u japin zemër njerëzve e t’i sigurojnë të gjitha ndihmat e mundshme bashkësisë katolike, që numëron 100 mijë besimtarë, si dhe mbarë banorëve të Libisë, siç kanë bërë gjithnjë. E populli po e vlerëson lart këtë gatishmëri e këtë ndihmë. Në këto ditë të vështira – përfundon nota e nunciaturës – popullsia po e shpreh me gjeste konkrete solidariteti dhe mbrojtjeje, mirënjohjen për vijimin e pranisë së njerëzve të Kishës Katolike në vend.









All the contents on this site are copyrighted ©.