2011-02-25 12:47:49

“Fiala e T’in’ Zot” në 99 vjetorin e botimit, në Palermo të Sicilisë


Përkujtojmë sot 99 vjetorin e botimit, në Palermo të Sicilisë, të numrit të parë të fletëpalosjes “Fiala e T’in’ Zot”.
Revista “Fiala e T’in’ Zot” në ndihmë të besimtarëve që marrin pjesë në kremtimin e meshës së shenjtë, ka një meritë të jashtëzakonshme: me të nis përpjekja për t’i pajisur të krishterët me fletën e përshtatshme, që i ndihmon besimtarët të merrnin pjesë gjallërisht e në mënyrë aktive në kremtimin e Eukaristisë shenjte. Natyrisht, ishte tepër shpejt të pretendohej për një fletë me leximet biblike: fletëpalosja e parë, që nisi të dilte në fshatin e Arbëreshëve mbi Palerm, tek Hora e Arbëreshëve më datën 25 shkurt të vitit 1912, përmbante pra pjesën e Ungjillit të së dielës së parë të Kreshmëve (Jani (Gjoni) 1,44-52), komentin e kësaj pjese ungjillore dhe një fragment nga letra drejtuar Hebrenjve (Hb 11,24-26;32-49).
Si fletëpalosje e sotme, kishte dy fletë, katër faqe. Kryeredaktori i fletëpalosjes ishte Pal Schiroi me bashkëpunëtorët e ngushtë papas Gaetano Petrotën dhe papas Gjergj Dorangrikjen.
Kujtojmë se përpjekjet e para për t'i pajisur besimtarët me fletëpalosje të Meshës në Shqipëri, do të ishin fryt i penës të Atë Vinçenc Prennushit, i cili nisi ta botonte fletëpalosjen e vet, tri vjet pas mbylljes së fletpalosjes arbëreshe, më 1918, duke e quajtur krijesën e vet njëlloj: "Fjala e Tynzot".







All the contents on this site are copyrighted ©.