2011-02-25 19:16:32

Shën Pelini ipeshkëv e martir kthehet në atdhe. Të dhëna të lashta flasin për një ipeshkëv të madh të trojeve shqiptare.


(25.02.2011 RV)Sot, në orën 17.00 bashkësia kishtare e dioqezës së Avecanos dhe Sulmonës organizuan një manifestim kulturor e shpirtëroro kishtar për nder të ipeshkvi martir të shekullit VII, Shën Pelinit nga Durrësi. Manifestimi i organizuar nga misionari italian don Antonio Sharra pati dy momente: i pari në teatrin e Avecanos, ku morën pjesë autoritete civile e kishtare, ambasadori i Shqipërisë në Romë shkëlqesia e tij Llesh Kola, ipeshkvi i Sulmonës, imzot Angelo Spina e një pjesëmarrje e jashtëzakonshme e qytetarëve dhe besimtarëve katolikë të Avecanos. Në teatër të pranishmit i përshëndeti don Antonio Sharra i cili me gëzim e emocion nënvizon vlerën e ngjarje historike, kombëtare e kishtare që në shën Pelinin afron edhe më tej dy popujt e dy vendet.
Më pas kryetari i bashkisë së Avecanos Antonio Floris falënderoi don Antonio Sharren që edhe më këtë gjest e ngjarje vazhdon në ndërtimin e urave miqësore mes shqiptarëve e italianëve e tha se “Shën Pelini me siguri do të ndikojë në përforcimin mëtejshëm të marrëdhënieve të mira e miqësore që prej vitesh ekzistojnë mes Avecanos e zonës së Zadrimës e Shqipërisë.
Pas koncertit të rastit që ofroi kori i Avecanos për nder të shën Pelinit, don Antonio Sharra i dhuroi ambasadorit të Shqipërisë zotit Lesh Kola, ipeshkvit të Sulmonës imzot Spina, redaksisë shqipe të Radio Vatikanit figurën e Shën Pelinit. Me këngën e fëmijëve të Avecanos që pasoi u mbyll pjesa e parë e manifestimit. Nga teatri të pranishmi u nisën drejt Kishës së shën Mihillit Kryengjëll, ku u kremtua Mesha e Shenjtë e udhëhequr nga ipeshkvi i Sulmonës imzot Spina.
Në homelinë e rastit imzot Spina foli mbi virtytet e Shën Pelinit e mbi dëshmitë e jashtëzakonshme të tij për Ungjillin e Krishtit, për çka e dha edhe jetën. Shën Pelini është një nxitje për të gjithë për të ecur gjurmëve të Jezusit e për të nderuar e respektuar e afruar çdo njeri me atë dashuri që karakterizoi jetën dhe veprën e këtij ipeshkvi të shenjtë martir. “Shën Pelini lindi në Durrës, në tokën shqiptare e dha derdhu gjakun për fenë në Krishtin Zot e Shpëtimtar e në mbrojtje të të vërtetave ungjillore në tokën token marsikane në Korfirio, 50 km afër Avecanos. Prandaj Shën Pelini është një personalitet i ndritur që na mëson artin e vëllazërimit e të solidaritetit”.
Gjatë kremtimit të Meshës, ipeshkvi i Sulmonës imzot Spina kryqin ipeshkvnor të kraharorit që ia dhuroi Kishës shqiptare ia vuri në krahët e shtatores së Shën Pelinit, i cili në dorë ka edhe dhuratën tjetër të ipeshkvit të Avecanos imzot Pietro Santoro, shkopin baritor të ipeshkvit. Kështu shtatorja e Shën Pelinit, me relike të shenjtë (lipsanë) e dy simbolet ipeshkvnore Kryqin e shkopin, pas 13 shekujsh është gati për t’u kthyer në atdhe.
Në përfundim të Meshës në Kishën e shën Mihillit Kryengjëll, të pranishmit i përshëndeti Ambasadori i Shqipërisë në Itali, Lesh Kola. Ai falënderoi nismëtarin e kësaj ngjarje të rëndësishme don Antonio Sharrën, ipeshkvijtë e Avecanos e Sulmoës që po ia kthejnë besimtarëve të krishterë e mbarë Shqipërisë një personalitet të shquar siç është Shën Pelini, martir. Kjo ngjarje ripohon historinë e lashtë të mundimshme e të lavdishme që ka kaluar popullit shqiptar gjatë shekujsh, i cili është përballur me shumë vështirësi por nga gjiri i vet ka nxjerr edhe figura gjigante si Shën Pelini në shekullin e VII e si e Lumja Nënë Terezë në kohët tona, e ripohon se shqiptarët kurdoherë kanë qenë të vendosur të mbrojnë e kultivojnë vlerat kombëtare, kulturore e shpirtërore, duke i bashkëndarë ato me popuj e Vende si Italinë. Ambasadori Kola falënderoi don Sharrën e studiuesit që e bënë të mundur ndriçimin e historisë së jashtëzakonshme të Shën Pelinit, i cili meriton të njihet e të vlerësohet pikërisht për ato virtyte e vlera që diti të jetoi e përçoi në kohën e tij e që edhe sot do të ndihmojnë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Italisë e Shqipërisë. Prandaj, Shën Pelini – tha ambasadori Kola – është i juaji, është i yni e tani e tutje është i përbashkët”.
Kujtojmë se bustin me reliket e Shën Pelinit, më 3 mars do të çohen në Shqipëri, nga një delegacion italian i Kishës së Avecanos e Sulomonës i udhëhequr nga dy ipeshkvijtë e këtyre dioqezave. Shën Peli së pari do të ndalen në vendlindje, në Durrës, ku në Kishën e shën Luçisë do të takohen me besimtarë e qytetarë durrsak e më pas do të vijoi shtegtimit drejt dioqezës së Sapës, së pari në Vua-Dejës e më pas në vendqëndrimin përfundimtar në Kishën e Martirëve e Shenjtërve Shqiptarë në Blinisht të Zadrimës. Delegacioni, në gjirin e të cilit bën pjesë edhe misionari i mirënjohur në Blinisht, don Antonio Sharra, do të qëndrojë në dioqezën e Sapës në Shqipëri deri më 6 mars, për të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, që kanë të bëjnë me kthimin e Shën Pelinin në Atdhe e saktësisht Blinisht.
Por ç’është ky shenjt pse shkon në Shqipëri? Sepse shenjti është shqiptar. U takoi besimtarëve të Kishës së Marsikanëve, në Abruco të Italisë, të nxjerrin nga pluhuri i kohës figurën e jashtëzakonshme të shenjtorit ipeshkëv shqiptar Pelini. Duhen falënderuar për këtë zbulim dy laikë: prof. Angelo Melchiorre, historian i njohur në Abruco, që ka botuar shumë libra mbi historinë kishtare marsikane dhe; prof. Antonio Masci, diakon, ekspert latinist, me studime në fushën humaniste, patristike dhe ekleziologjike.
Kujtojmë se Kisha e Avecanos ka 20 vjet marrëdhënie të mira me Kishën në Shqipëri, pikërisht për hir të misionarit “Fidei Donum”, don Antonio Sharra, i cili ka punuar në Blinisht, ku ka ngritur një sërë aktivitetesh e strukturash në ndihmë të popullsisë. Puna e tij dhe e shoqatës “Rindërtimi”, themeluar për të ndihmuar shqiptarët, sollën edhe në këtë zbulim, që i kthen krishterimit në Shqipëri, dy shenjtorë:
Shën Danaktin, diakon i Vlorës, martirizuar nën persekutimin romak. Historia e tij, krejtësisht e injoruar, doli në dritë falë dioqezës së Ugjentos (në Pulja), e cila e nderon këtë martir prej 16 shekujsh, duke i kushtuar jo vetëm një famulli, por edhe një fshat, që mban emrin e tij, Shën Dana. Festa e shenjtit bie më 16 janar.
Shën Pelinin, murg i formuar në shkollën e Shën Bazilit, lindur në Durrës, ipeshkëv i Brindizit, martir në Korfinio të Abrucos në Itali, në kohën e Julianit apostat.

Por si u zbulua Shën Pelini? Fshati marsikan, që mban emrin e tij, në gusht 2010, deshi të dinte më shumë për Pajtorin e vet. U kontaktua Kryeipeshkvi i Brindizit, ku edhe Shën Pelini ka qenë ipeshkëv; u shqyrtuan dokumentet e Arkivave të Vatikanit, të dioqezës së Sulmonës e të asaj të Brindizit; u bashkëpunua me ipeshkvin e Sulmonës, imzot Angelo Spina, në dioqezën e të cilit ndodhet bazilika e lashtë konkatedrale e Shën Pelinit, shumë i nderuar e i dashur nga besimtarët dhe; u morën në dorë dorëshkrime të çmuara për jetën e shenjtit, piktura e skulptura me vlerë, dëshmitë për mrekullitë e tij, nëntëditëshet e lutjeve etj..

Në letrën, që i dërgon Radio Vatikanit don Antonio Sharra i Qendrës Misionare të Avecanos dhe don Simpliçio Çaça, i famullisë së shën Mikelit Kryeengjëll, shkruhet: “E ndjejmë për detyrë t’i dorëzojmë Kishës shqiptare bustin artistik prej druri të shenjtit së bashku me një relike të shenjtë të çmuar e me dhurata, ofruar nga ipeshkvijtë e Brindizit, të Sulmonës dhe të Avecanos. Vepra e artit e skulptorit Edoardo Ferrari frymëzohet nga shtatorja e lashtë, që nderohet në Bazilikën Katedrale të Korfinios”.

Dokumentet e mbledhura mbi jetën e Shën Pelinit do të paraqiten në një vëllim, të shkruar nga dy profesorët Melchiorre e Masci, që do t’i dorëzohet ipeshkvit të dioqezës së Sapës, imzot Lucian Avgustinit, më 4 mars 2011, në 65-vjetorin e pushkatimit të atë Daniel Dajanit, lindur në Blinisht të Zadrimës. Kujtojmë se bashkë me të u pushkatuan nga komunistët edhe atë Gjon Shllaku, atë Gjovani Fausti e seminaristi Mark Çuni.

Urojmë, që shenjti durrsak Shën Pelini të ndërmjetësojë pranë Hyjit për fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve e t’u shndrisë mendjen edhe të gjithë atyre, që e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të bëjnë kërkime e studime për të nxjerrë në pah kontributin dhënë krishterimit nga populli i vogël i shqiponjës dykrenore.







All the contents on this site are copyrighted ©.