2011-02-25 19:19:17

Qëndrimi i Selisë së Shenjtë për Libinë


(25.02.2011 RV)Sot paradite në Gjenevë, u mblodh Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ku u diskutua gjendja në Libi. I pranishëm edhe vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, imzot Silvano Maria Tomazi:
Kemi dënuar totalisht përdorimin e dhunës nga ana e autoriteteve kundër civilëve, përdorimin e ushtarëve, të bombave, të mercenarëve. E gjithë kjo është dhunim i qartë i të drejtave më elementare. U bënë edhe disa rekomandime: së pari, Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ta përjashtojë Libinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut; së dyti, të krijohet një mision ndërkombëtar hetimor, që të shkojë në Libi për të parë gjërat në terren e për të përcaktuar si mund të ndihmojmë e ta bllokojmë këtë dhunë të jashtëzakonshme kundër popullsisë civile.
Cili është qëndrimi i Selisë së Shenjtë?
Selia e Shenjtë kërkon që para së gjithash t’i jepet fund dhunës, për t’iu rikthyer dialogut. Këto manifestime shprehin vullnetin popullor për pjesëmarrje aktive në administrimin e vendit. Selia e Shenjtë shpreh dhimbjen për viktimat e shumta të krizës libiane. Përveç kësaj, po përpiqemi të kuptojmë se si mund të zbatohen vendimet e Bashkësisë ndërkombëtare e ç’të mirë mund t’i sjellin popullit të Libisë, edhe për të parandaluar eksode masive, që do të jenë të pashmangshme, nëse nuk gjendet një zgjidhje e përbashkët për krizën.







All the contents on this site are copyrighted ©.