2011-02-25 19:14:39

Papa pret patrikun libanez Sfeir. Imzot Eid flet për ndryshimet në botën arabe.


(25.02.2011 RV)Papa priti sot, në Vatikan, kardinalin Nasrallah Pierr Sfeir, patrik i maronitëve të Antiokisë, në Liban. Hirësia e tij mori pjesë, të mërkurën e kaluar, në kremtimin e bekimit të shtatores së Shën Maronit, themelues i Kishës maronite, vendosur në një nga kamaret e jashtme të Bazilikës së Shën Pjetrit. I pranishëm në kremtim, edhe kreu i Shtetit libanez, Mishel Sleiman, i cili u takua me Papën. Gjatë takimit të përzemërt, biseda u përqendrua posaçërisht tek ngjarjet e fundit në disa nga vendet arabe, me bindjen se konfliktet e lindura në zonë duhet të gjejnë urgjentisht rrugëzgjidhje. Pikërisht për këto konflikte, që ndikojnë fuqimisht, në mënyra nga më të ndryshmet, mbi jetën e përditshme të të gjithë banorëve të botës së globalizuar, reflekton ipeshkvi maronit i Kairos, imzot Fransua Eid, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Kjo, që po shikojmë, është një trazirë tejet e ndërlikuar, nga e cila pritet të lindin qeveri të reja, të ndryshme nga të vjetrat. E kjo, sepse i kanë marrë nëpër këmbë interesat e popujve, duke u kujdesur vetëm për interesat e veta e duke e rrëmbyer gjithë pasurinë e viseve, të cilat duhet t’i udhëhiqnin drejt një jete më të mirë. Në vend që t’i pasuronin, i varfëruan! Në vend që të krijonin shtetin e së drejtës, krijuan regjime klanesh familjare, gjë që nuk e sheshoi, por e thelloi më tej greminën ndërmjet tyre e popullit. Përballë kësaj gjendjeje, të rinjtë morën një vendim të guximshëm: gjithçka duhet ndryshuar! Vendim aspak i lehtë, sepse këto regjime janë të armatosura me armë, me mjete që vrasin, ndërsa të rinjtë, vetëm me dijen e me kulturën. Mjeti më i fuqishëm i të rinjve janë mediat dhe teknologjitë e reja të komunikimit. Mrekullia nisi në Tunizi: pamë, e vijojmë të shikojmë, rrugë të mbushura me të rinj, që kërkojnë drejtësi. Urojmë që në radhët tyre të mos depërtojnë partitë fetare, për ta shfrytëzuar, për qëllimet tyre, këtë revolucion të të rinjve, duke e shndërruar në një ideologji e në një situatë negative.

Pyetje: - Cilat janë perspektivat?

Përgjigje: - Nuk ka dyshim se ndryshimi ka nisur e nuk mund të ketë kthim mbrapa! Të rinjtë dëshirojnë vetëm një shtet, që kujdeset për të gjithë nënshtetasit, pavarësisht nga përkatësia kulturore, fetare, etnike e fisnore. E dimë se vende, si Libia e Jemeni, ngrihen mbi baza fisnore. Ndërsa të rinjtë duan të jenë qytetarë të fshatit kombëtar e universal, jo fisnor. Ëndërrojnë të ndërtojnë një Shtet më të mirë, që është i aftë t’i realizojë ëndrrat e bukura të të gjithëve. Thonë se çdo regjim i bazuar mbi padrejtësinë, duhet të marrë fund. Duan bukë, punë, jetë dinjitoze, liri, drejtësi, sepse çdo qytetar i thjeshtë duhet të ketë të njëjtin dinjitet, si ai që qeveris. Ndërsa këto regjime janë të falimentuara. Të rinjtë e kanë kuptuar se edhe progresi i arritur nga këto vende, shkon në favor të të korruptuarve. Populli nuk ka përfituar asgjë. Pasuritë e grumbulluara kanë shkuar të gjitha në xhepat e qeveritarëve. Populli ka vijuar ta humbasë dinjitetin. E tani dëshiron t’ia kthejnë gjithçka i është rrëmbyer padrejtësisht!







All the contents on this site are copyrighted ©.