(25.02.2011 RV)Përpjekje për të grabitur apo vrasje me ngjyrime fetare? Policia,
që po bën hetime për vrasjen e Atë Daud Boutros, prift kopt, i cili humbi jetën dy
ditë më parë, nuk është akoma e qartë për këtë ngjarje të re, të hidhur, në Egjipt.
Sipas disa agjensive, trupin pa jetë të priftit kopt, që jetonte në Assiut, jo larg
Kairos, e gjeti e bija, e cila pëpiqej më kot, prej dy ditësh, të lidhej telefonikisht
me të jatin. Burime të tjera njoftojnë se kufoma u gjet nga ndihmësi i priftit. Sipas
policisë, trupi i Atë Boutros u gjet i therur me thika, në banesën e tij, në pështjellim
të plotë, gjë që të lë të mendosh për sulm kusarësh. Disa fqinjë pohojnë se panë një
grup burrash me fytyra të mbuluara duke dalë nga apartamenti e duke bërtitur “Allah
akbar”- “Zoti është i madh”, pohim që, po të jetë i vërtetë, të çon në përfundimin
se vrasja u bë nga elementë antikristianë. Vrasja e Atë Boutros-it e tensionoi më
tej atmosferën, tejet të nderë, në të cilën jeton bashkësia ortodokse egjiptiane,
e vënë në provë të rëndë nga atentatet e natës së Vitit të Ri 2011 në Aleksandri të
Egjiptit, natë, që i kushtoi jetën 23 vetëve. Dëshmitarë të ndryshëm njoftojnë se
pas vrasjes së priftit, disa qindra koptë manifestuan para katedrales, në qendër të
Kairos, duke shprehur indinjatën e tyre për tragjedinë e re. Ndërsa gazeta vendase
Al Masry Al Youm flet për ndeshje ndërmjet koptëve ortodoksë dhe bashkësisë islamike
të Assiut-it.