2011-02-24 16:22:17

“Green Accord” reflekton mbi përdorimin e ujit në botë


(24.02.2011 RV)“Më jep të pi” është tema e ditës së studimeve, organizuar nga Shoqata kulturore për mbrojtjen e ambientit “Green Accord” (Marrëveshja e gjelbër), në Romë. Seminari, që u zhvillua sot, vuri në dukje problemet shoqërore, politike dhe ekonomike, lidhur me përdorimin e ujit, duke nxjerrë në dritë edhe dramën e atyre, që nuk e kanë. Të dëgjojmë kryetarin e komitetit shkencor të “Green Accord”, Andrea Mazulo:
Uji është element thelbësor për jetën, por edhe mall, që përdoret për qëllime të tjera, si për bujqësinë e industrinë. Fatkeqësisht, shumë nga krizat ekologjike, në fund të fundit, kanë të bëjnë me mundësinë e përdorimit të ujit. Të mendojmë edhe për rastin kur uji përshkon vende të ndryshme, prandaj shfrytëzimi që i bën vendi i parë ndikon fuqimisht në mundësinë e përdorimit të ujit për vendin e fundit. Edhe kjo mund të shkaktojë konflikte.
Cila është gjendja e përdorimit të ujit në botë?
Në botë, dimë se sot, rreth një miliard e 800 milion fëmijë nën 5 vjeç vdesin për shkak të sëmundjeve ngjitëse, që vijnë nga mungesa e ujit të pastër. Kjo është tragjedi e vërtetë! Dimë edhe se në shumë anë të botës uji mungon pothuaj krejtësisht, por në anë të tjera mungojnë infrastrukturat për shpërndarjen e tij. Në shumë kryeqytete të vendeve në zhvillim nuk ka rrjet shpërndarjeje dhe uji shitet privatisht me çmime shumë të larta. Kjo është dramatike: është dramatike të mendosh se të varfërit paguajnë për një burim kryesor të jetës, shumë më tepër se të pasurit.
Ç’mund të bëjmë në jetën e përditshme për ta mbrojtur këtë pasuri të çmuar?
Para së gjithash, të mos e shpërdorojmë ujin e pastaj, të vlerësojmë burimet që kemi. Për shembull, të përdorim ujin e rubinetit dhe jo ujin e shisheve plastike; nuk ujiten lulet e nuk lahen dyshemetë me ujin e pastër, që vjen në shtëpi: kjo është thirrje edhe për administratorët publikë, të cilët mund ta ndajnë rrjetin e ujit të pijshëm nga ai, që mund të përdoret për larje, apo për qëllime të tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.