2011-02-24 13:39:00

Papa priti në Vatikan presidentin e Libanit Sleiman e kërkoi zgjidhje urgjente të konflikteve në Vendet arabe


Benedikti XVI priti sot paradite në Vatikan presidentin e Libanit Michel Sleiman. Presidenti më pas është takuar me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Bertone e sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Mamberti.
“Gjatë bisedimeve të përzemërta – njofton një deklaratë e Sallës së Shtypit të Vatikanit - është nënvizuar se Libani, në saje të pranisë së bashkësive të ndryshme të krishtera e myslimane që ka, përfaqëson një mesazh lirie e bashkëjetese paqësore jo vetëm për Rajonin por edhe për botën mbarë. Në këtë kontekst promovimi i bashkëpunimit dhe i dialogut ndërmjet bashkësive fetare po tregohet gjithmonë e më i domosdoshëm. Prandaj është nënvizuar rëndësia e angazhimit të Autoriteteve civile dhe fetare për edukimin e ndërgjegjes për paqe e pajtim si dhe është shpreh urimi që formimi i qeverisë së re libaneze të favorizon stabilitetin aq të dëshiruar nga Kombi, që është i thirrur të përballet me sfida të brendshme e ndërkombëtare të rëndësishme”.
Gjatë bashkëbisedimeve më tej “është fol edhe mbi situatën në Lindje të Mesme, me një referim të posaçëm ndaj ngjarjeve të fundit në disa Vende arabe, dhe është shpreh bindja e përbashkët për zgjidhjen urgjente të konflikteve të hapura në Rajon. Së fundit, një vëmendje e veçantë i është kushtuar situatës të të Krishterëve në mbarë rajonin dhe kontributit që ata mund të ofrojnë për të mirën e mbarë shoqërisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.