2011-02-24 15:30:42

Kore e Veriut: Me qindra manifestues në shesh kundër regjimit dhe varfërisë.


(24.02.2011 RV)Po ato arsye që po trondisin kohët e fundit vendet arabe, po ato po e kallin flakë edhe Lindjen e largët. Pas Kinës, edhe në Kore të Veriut me qindra manifestues u përleshën me forcat e rendit në qytetin Sinuizhu. Ngjarja ka ndodhur me 18 shkurt por lajmi u dha vetëm para pak ditësh. Shtypja e protestave nga ana e ushtrisë së regjimit të Kim Jong il ka shkaktuar shumë të plagosur e ndoshta edhe të vdekur, por numri i saktë nuk dihet. Shkaku i protestave është përkeqësimi i mëtejshëm i kushteve shoqëroro-ekonomike.
Në mikrofonin tonë flet specialisti i çështjeve të Azisë, Stefano Vekia:

Përgjigje: Arsyeja kryesore është uria. Varfëria e popullit fshihet e shtypet vazhdimisht nga shteti, por pastaj shfaqet, sikurse ndodhi ditët e fundit. Shkëndija ishin festimet për datëlindjen e Kim Jong il-it, festime këto për të cilat iu hoq një pjesë e madhe e energjisë elektrike qyteteve të tjera të veriut. Pra, shumë qytete në terr duke i krijuar vështirësi të mëtejshme një populli, që edhe kështu, po përjeton vështirësi të mëdha.

Pyetje: Regjimi koreanoverior, ka mundësi, sikurse ato të Afrikës veriore, mos t’i kuptojë në kohë sinjalet e pakënaqësive shoqërore e ekonomike që i vijnë nga populli, apo jo?

Përgjigje: Po, sepse nuk ekziston as masmedia, si amortizator i shoqërisë. Korea e veriut është një vend që regjimi i atjeshëm, për hatër, do ta mbante gjithnjë të izoluar e si pasojë, çfarëdo shkëndije që vjen nga jashtë mund të marrë menjëherë përmasa të stërmëdha. Sidoqoftë, shkaqet kryesore janë të brendshme. Në këtë vështrim duket se regjimi nuk po i kupton fare nevojat e popullatës e as sinjalet që vijnë nga Afrika veriore apo Lindja e Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.