2011-02-23 18:33:42

Paraqitet programi i vizitës së Papës në San Marino-Montefeltro (19 qershor 2011)


(23.02.2011 RV)Vizita e Benediktit XVI është ngjarje e jashtëzakonshme, dhuratë për të gjithë bashkësinë. Kështu u shpreh ipeshkvi i San Marino-Montefeltros, imzot Luigji Negri, duke paraqitur dje, vizitën baritore të Papës në dioqezën samarineze e feltreze, më 19 qershor.
Benedikti XVI do të arrijë në orën 9.15 në aeroportin e Torraçies, në Republikën e San Marinos. Prej këtu do të shkojë në Stadiumin e Serravales ku, në orën 10. 00 do të kryesojë bashkëkremtimin eukaristik, pasuar nga lutja e Engjëllit të Tënzot. Më pas, në Shtëpinë e Shën Jozefit, do të takohet me anëtarët e Fondacionit ndërkombëtar “Gjon Pali II” dhe me organizatorët e vizitës.
Pasdite do të jetë në Sheshin e Lirisë, ku ngrihet Pallati Publik, që nga viti 1984 seli e Regjencës dhe e Sekretarisë së punëve të brendshme të Shtetit e ku mblidhen Këshilli i Madh e i Përgjithshëm, Kongresi i Shtetit dhe Këshilli i të 12-ve. Do të hyjë, pastaj, në Pallatin Publik, ku do të takohet me ministrat e qeverisë, me anëtarët e Kongresit e të Trupit Diplomatik, akredituar në vend, për të shkuar, pas kësaj vizite, në Bazilikën e San Marinos, ku nderohen reliket e Shenjtit, që i dha emrin Republikës së vogël. Në përfundim të vizitës në Bazilikë, Benedikti XVI do të takohet me të rinjtë e dioqezës, në tremen e Katedrales së Panabilit.Rreth orës 20. 00 do të niset me helikopter në drejtim të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.