2011-02-23 18:33:16

Papa bekon shtatoren e Shën Maronit


(23.02.2011 RV)Para se të arrinte në Sallën e Palit VI për audiencën e përgjithme, Papa u ndalua për disa çaste në Via delle Fondamenta për të bekuar shtatoren e Shën Maronit, vendosur në një nga kamaret e jashtme të Bazilikës së Shën Pjetrit. Të pranishëm në kremtim, kreu i Shtetit libanez, Mishel Sulejman, disa ministra libanezë të të gjitha konfesioneve dhe kardinali Nasrallah Pierr Sfeir, patrik i Maronitëve të Antiokisë. Morën pjesë edhe kardinali sekretar i Shtetit, Tarçizio Bertone dhe kardinali Anxhelo Komastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit.
Shtatorja është vepër e skulptorit spanjoll Marko Augusto Duenas, edhe ai i pranishëm në ngjarje, që e skaliti figurën e Shenjtit në një bllok të vetëm mermeri të Karrarës.
Shën Maronit, murg e meshtar, që jetoi ndërmjet shekujve IV-V, i njihet merita e krijimit të bërthamës së parë të Kishës maronite.Pas bekimit, kardinali Anxhelo Komastri i përshëndeti të pranishmit, duke theksuar posaçërisht se kremtimi ishte shenjë nderimi për Kishën maronite që, në rrjedhë shekujsh, vuajti pa masë për t’i qëndruar besnike Krishtit, Kishës, Papës. Më pëlqen të kujtoj – shtoi kardinali Komastri – se mbi Shtatoren e Shën Maronit janë shkruar, në gjuhën aramajke, gjuhë e folur nga Jezusi, këto fjalë, shkëputur nga Psalmi 91 (91, 13): “I drejti do të lulëzojë si palma, do të hedhë shtat si kedri i Libanit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.