2011-02-23 18:32:57

Ngushëllimet e Papës për viktimat e tërmetit në Zelandën e Re.


(23.02.2011 RV)Papa i ndjek me shqetësim të thellë pasojat e tërmetit, që dëmtoi rëndë qytetin Krajstçëç, në Zelandën e Re, ku numërohen 75 të vdekur e mbi 300 të humbur.
Në një telegram, drejtuar ipeshkvit të Krajsçëç, imzot Barri Xhons, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së tij, Papa shpreh ngushëllimet për shkatërrimet e sidomos, dhimbjen për humbjet e jetëve njerëzore. Ati i Shenjtë i siguron të gjithë ata, që u goditën rëndë nga kjo tragjedi e që vajtojnë të dashurit e vdekur, se ndjehet pranë tyre, se mendon e lutet për të gjithë. Lutja përfshin mbarë popullsinë e këtij vendi, të tronditur thellë, në këtë çast kaq tragjik, si dhe ata, që po japin ndihmesën e tyre për mjekimin e të plagosurve e për shpëtimin e njerëzve, ende nën gërmadha.
Ndërkaq kryeministri neozelandez, Xhon Key, dekretoi gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare. Por, si u pritën fjalët e Papës në vend? Të dëgjojmë nuncin apostolik, imzot Balvo Çarls Daniel, nga Krajsçëç, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Ndonëse ndjenja fetare nuk është gjithaq e fortë në Zelandën e Re, njerëzit i vlerësojnë shumë këto fjalë. E edhe sepse nuk janë mësuar me tronditje kaq të mëdha. Mendohet se numri i të vdekurve mund të arrijë në më se 200 vetë, ndërsa bëhet çmos për të shpëtuar një mori njerëzish, që rënkojnë nën gërmadhat e shtëpive të shembura. E kush punon në këtë front, kuptohet se rrezikon edhe kokën e vet, pasi shembjet vijojnë. Edhe dy katedralet e qytetit janë dëmtuar rëndë. Katedralja katolike, posaçërisht. Vështirë se do të mund të mbahet në këmbë. Ndërkaq qyteti është pa dritë, pa ujë e pa banorë, sepse njerëzit po evakuohen me shpejtësi nga një mjedis i tillë i rrezikshëm. Ne mundohemi të japim ndihmesën tonë. Karitasi vendas ka caktuar 25 mijë dollarë neozelandezë për ndihmën e shpejtë. Pastaj do të shohim si do të shkojnë punët, ndërsa tani për tani veprimtaria më e ngushtme është strehimi i njerëzve, që kanë mbetur në rrugë të madhe, ndërsa edhe rruga u lëkundet nën këmbë. Pastaj do të kërkojmë ndihma edhe nga vendet e tjera. Zelanda e Re ka përvojë të pasur në këtë drejtim e po pranon ndihma nga Australia, Singapori, SHBA e edhe nga vende të tjera, sepse ky është vend i vogël, nuk është në gjendje të përballojë i vetëm emergjenca të tilla. Pastaj gjëma e Krajstçëç ishte krejt e paparashikueshme, sepse kjo nuk është zonë sizmike. Ishte një rrufe në qiell të kthjelltë. Jemi mobilizuar të gjithë, por, e përsëris, në një atmosferë të paparashikuar!







All the contents on this site are copyrighted ©.