2011-02-22 15:40:11

Të krishterët e Karnatakës i përgjigjen me protesta Raportit mbi sulmet kundër kishave.


(22.02.2011 RV)Më se 50 mijë të krishterë manifestuan këto ditë në Mangalore, në shtetin indian të Karnatakës, kundër Raportit të Komisionit Somasekhar për sulmet mbi dhjetra kisha, në vitin 2008. Të krishterët demonstruan në heshtje të thellë, të veshur me të zeza, me shtupa në gojë, simbol i mungesës së lirisë së fjalës, për të denoncuar një Raport të rremë, që – sipas pohimit të tyre – i fsheh shkaktarët e vërtetë të dhunës antikristiane. Në shesh, mes turmës, edhe disa ipeshkvij. Të dëgjojmë një prej tyre, imzot Bernard Blasius Moras, kryeipeshkëv i Bangalores, kryeqendër e Karnatakës, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Më 28 janar 2011 u botua Raporti përfundimtar i Komisionit, pas miratimit nga governatori i Karnatakës. Për çudinë tonë të madhe, Raporti mban qëndrim të dukshëm armiqësor kundër bashkësisë së krishterë, ndërsa i shkarkon nga çdo lloj përgjegjësie qeverinë e shtetit, partinë në pushtet (Bharatiyan Janta Party), grupet fondamentaliste, si Bajrang Dal, e edhe policinë, akuzuar rëndë në Raportin parapërgatitor E sikur të mos mjaftonte kjo, si shkaktarë të trazirave akuzohen vetë të krishterët. Madje formulohet edhe akuza se kanë detyruar një masë të madhe indianësh të kthehen në fenë e krishterë. E ajo, që të çudit më shumë, pohohet edhe se Kisha Katolike nuk bën prozelitizëm: është përpjekje për ta ndarë konfesionin katolik nga konfesionet e tjera të krishtera. Raporti kërkon edhe që këto grupe të krishtera të vihen nën kontrollin e qeverisë, e ka edhe sinjale, që flasin për hartimin e një ligji të ri, i cili e bën të pamundur kthimin nga një fe, në një tjetër. Kërkohet, gjithashtu, që fondet e dhurimet, e ardhura nga jashtë, të mbarështohen nga qeveria e, njëkohësisht, institucionet këshillohen të nisin regjistrimin e besimtarëve sipas feve që praktikojnë në çastin e këtij regjistrimi. Gjithë ç’është shkruar në Raport, është shumë, tepër, antikristiane e antifetare.

Pyetje: - Ju po kërkoni pajtim, por jo pa drejtësi...

Përgjigje: - Natyrisht, ne impenjohemi gjithnjë për pajtim. Jemi takuar me autoritetet vendase e u kemi thënë se kërkojmë drejtësi, të drejta të mbrojtura nga Kushtetuta; kemi pohuar publikisht se jemi popull, që e do paqen, që i do vëllezërit e motrat, pa dallim feje e se do të vijojmë të bëjmë, siç kemi bërë deri më sot. Jemi gati të vuajmë, por jo të heqim dorë nga bamirësia, sepse Kisha nuk mund të kuptohet pa veprat e bamirësisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.